Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se PD do të kërkojë komision hetimor parlamentar mbi lidhjet e Kryeministrit Edi Rama me ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal, i vendosur së fundmi nën hetim në SHBA.
“PD do merret me lidhjet obskure të Edi Ramës, Dorian Duçkës, Agron Nezës, në këtë aferë të gjithanshme agjenturore, mafioze, të shumëllojshme. Në një vend ku ka drejtësi, natyrisht krijohet një grup menjëherë, hetimor, dhe vendosen lidhje të menjëhershme me vendet partnere për një hetim. Kjo nuk ndodh. ‘SKAP-i’ i partisë është i betuar se nuk mund të hetojë kurrë partinë e tij”, tha Berisha në një deklaratë për medien.
Berisha theksoi se PD do të ngrejë një komision hetimor parlamentar dhe do të vendosë lidhje me Kongresin e SHBA-së.
“Do japim kontributin më të madh për hetimin e kësaj afere, e cila shëtit si re e zezë mbi qiellin e Shqipërisë dhe më gjerë. Edhe njëherë, dënoj këtë bashkëpunim mafioz agjenturor me zyrtarin më të lartë të arrestuar ndonjëherë të FBI me lidhje ruse”, tha Berisha.
Rama: Akuzat e ngritura ndaj zyrtarit të FBI-së, asnjë lidhje me mua
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, akuzat e ngritura ndaj një zyrtari të FBI-së në Amerikë nuk kanë asnjë lidhje me të.
Rama reagoi sot pas akuzave të ngritura nga opozita për lidhje me zyrtarin e FBI-së.
“Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve!”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
“Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim!”, theksoi Rama.
“Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur”, nënvizoi Rama.
Kryeministri u shpreh se, “duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë”.
/Argumentum.al