Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se më 12 nëntor, do të zhvillohet protesta e opozitës, çka do të shënojë sipas tij, fillimin e betejës kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh se në të gjithë vendin , po bien sirenat e alarmit ndaj gjendjes katastrofale që gjendet Shqipëria, për shkak të keqqeverisjes.
“Partia Demokratike, Partia e Lirisë dhe forcat e tjera opozitare, nisin me datën 12 nëntor, betejën e madhe kundër regjimit të urryer, absolutar, regjimit të narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Evropë, regjimit të partisë shtet, regjimit të Edi Ramës. Në të katër anët e Shqipërisë po bien sirenat e alarmit ndaj gjendjes katastrofale, të krijuar nga vjedhjet e mëdha.
“Jam këtu për t’ju informuar opinionin se PD e PL e forca të tjera opozitare nisim më 12 nëntor betejën e madhe kundër regjimit të urryer. Në të katër anët e Shqipërisë po bien sirenat e urrejtjes ndaj monizmit të Edi Ramës. Në të katër anët e Shqipërisë po bien sirenat e alarmit ndaj gjendjes katastrofale të krijuar nga vjedhjet e mëdha dhe të papërmbajtura të fondeve buxhetore, të pasurive publike të qytetarëve shqiptarë. Vjedhjet e buxheteve familjare përmes çmimeve të larta, pabarazisë absolute para ligjit që sundon në Shqipëri, ka pasur dhe ka një interes të jashtëzakonshëm për protestat dhe përballjen me regjimin e partisë- shtet, i cili në historinë kombëtare është regjimi më anti-shqiptar pas regjimit të Enver Hoxhës.
Ka pasur dhe ka një interes të jashtëzakonshëm për protestat dhe përballjet me regjimin e partisë-shtet. Unë kam besimin më të madh se të rinjtë, të rejat e Shqipërisë, që ndodhen në vend dhe ata që janë larguar për shkak të pamundësisë së tyre për të përballuar jetën në Shqipëri, burrat dhe gratë e këtij vendi, do bashkohen në protestën më të madhe që ka njohur Shqipëria më 12 nëntor, për t’i dhënë përgjigjen e merituar, Edi Ramës dhe klikës së tij në pushtet.”, deklaroi Berisha.
Paraditen e kësaj të mërkure, Meta i shkoi në zyrë Berishës dhe u zhvillua një takim për më shumë se 30 minuta.
Pas takimit, Meta u shpreh se do të ketë referendum dhe primare të përbashkëta me Partinë Demokratike.
/Argumentum.al