Kryetari i Komisionit të Rithemelimit të PD-së Sali Berisha ka reaguar në lidhje me qëndrimin, sipas tij, kundër të NATO-s për masterplanin për projektin e Portit të Durrësit.
Në një deklaratë për mediet, Berisha u shpreh se në një vend normal, kreu i Shtetit do të kishte thirrur Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të gozhduar Kryeministrin që do të cenojë sigurinë e Shqipërisë dhe NATO-s.
“Jam këtu për të falënderuar me mirënjohje Aleancën e Atlantikut të Veriut, e cila hodhi poshtë përpjekjet e Edi Ramës për të mashtruar këtë aleancë dhe për ta ndërthurur atë në aferën megakorruptive të Portit të Durrësit Rama-Alabar”, tha Berisha.
“Janë një përpjekje monstruoze për të veshur me petkun e aleancës, për të mbuluar vjedhjen e madhe të tmerrshme që po i bëhet pronës publike të shqiptarëve. Shkelmimin e interesave strategjike të Shqipërisë dhe NATO-s. Në çdo vend, në këtë situatë, kreu i shtetit do kishte mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe do gozhdonte kryetarin e qeverisë për këtë aferë mafioze që kërkon me çdo kusht të bëhet miliarder me pronat publike të shqiptarëve dhe të kërcënojë sigurinë e Shqipërisë dhe të NATO-s për aq sa portet e Shqipërisë kanë rëndësi strategjike për aleancën”, tha ai.
Po ashtu, Berisha shton se “kjo çështje do të jetë një çështje e rëndësishme e debatit sapo të hapet parlamenti i kyçur në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore nga Rama dhe Linda e parlamentit”.
“Pra, edhe njëherë, falënderoj aleancën për qëndrimin e saj në mbrojtje të interesave jetike të shqiptarëve dhe disaprovimin e hapur të projektit të mashtrimit të Porto-Romanos, me të cilin Edi Rama kërkon të mashtrojë shqiptarët dhe NATO-n”, tha ai.