Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit ditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) pas vendimit të Apelit të GJKKO për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dy herë në muaj pranë OPGJ-së.
Berisha u paraqit në SPAK rreth orës 10:00, ndërsa dhjetëra qytetarë të angazhuar nga strukturat e Partisë Demokratike ishin mbledhur në mbështetje të kryedemokratit.
Pasi u paraqit në SPAK, Berisha para gazetarëve hodhi akuza në drejtim të Prokurorisë së Posaçme si dhe ndaj drejtuesit të saj Altin Dumani.
Sipas Berishës, SPAK po kërkon “rikthimin e tij në “arrest shtëpie” jo se prish provat, jo se kanë ndonjë fakt, por sepse ka sulmuar gjykatësit dhe prokurorët”.
“Këtu ne arrijmë në një moment dramatik, në momentin kur këta kriminelë që flenë mbi dosjet e krimit dhe bashkëpunojnë me krimin, vendosin të bëhen xhelatë të fjalës së lirë. Sali Berisha i ka sulmuar, do t’i sulmojë të gjithë ata që bashkëpunojnë me krimin dhe kurrë njerëz të ndershëm, njerëz që bëjnë ligjin. Sali Berisha ka sulmuar dhe do të faktojë që sot para jush se si Altin Dumani fle mbi dosje krimi”, tha Berisha.
Sipas Berishës “Altin Dumani është një kryekriminel elektoral, sepse ka mbyllur të gjitha dosjet e krimit monstruoz elektoral”.
I pranishëm në protestë ishte dhe deputeti i PD, Flamur Noka, i cili mban edhe pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD. Ai tha se protestat para SPAK do të jenë të pandalshme.
“Sot, çdo qytetar i lirë i këtij vendi është për të shprehur revoltën e tij ndaj një vendimi antiligjor, i mirëfilltë politik, për të sulmuar opozitën. Sot jemi për ti thënë këtij institucioni që ju jeni marjonetë politike. Do të jemi këtu çdo dy javë. Këtu revolta nuk pushon ndaj një instrumenti që është në duar të pushtetit për të goditur opozitën”, – tha Noka.
Sipas vendimit të gjyqtarit Engert Pëllumbi, Berisha duhet të paraqitet në SPAK të hënën e parë dhe të tretë të muajit.
Berisha është zyrtarisht i pandehur nga SPAK për akuzën e korrupsionit pasiv ndaj zyrtarëve të lartë, në lidhje me hetimet e për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Pjesë e dosjes është edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi.