Në intervistën ekskluzive për News24, Basha ndan bisedën e me një demokrat të vjetër, kur thotë se që ta njohësh Sali Berishën duhet ta kesh atë përballë.
Prej 9 shtatorit, kur ju keni ndërmarrë aktin e pezullimit të ish-kryetarit Berisha nga Grupi parlamentar i PD, ju keni bërë komente të shkurtra ose nënvizime, por nuk keni bërë një kundërfushatë ose nuk i jeni përgjigjur fushatës së foltores. Pse keni zgjedhur këtë strategji? A ju shqetësojnë përmasat e procesit politik “foltorja” në cdo nivel, duke filluar nga anëtarë të grupit tuaj parlamentar, disa prej figurave historike të partisë dhe ish-drejtues lokalë në rrethe?
A jam unë i shqetësuar, për PD? Jam shumë i shqetësuar për PD. Jam shumë i shqetësuar për demokratët dhe koha do ta provojë se pse aktet dhe veprimet e mia përfshi qëndrimet e mia të këtyre dy muajve kanë qenë pikërisht për interesin më të mirë të demokratëve dhe të PD. Më kanë akuzuar dhe vijojnë të më akuzojnë se një nga të metat e mia qenka se jam shumë i arsyeshëm. Sigurisht jam shumë i arsyeshëm. Foltora i është mbivendosur aksionit më të madh politik që ka ndërmarrë PD, për clirimin e zgjedhjeve dhe për dhënien fund mosndëshkueshmërisë të korrupsionit dhe të lidhjeve të politikanëve me krimin, në formën e ndryshimeve kushtetuese dhe të aksionit opozitar në parlament dhe mos harroni në përballjen e përditshme me Edi Ramën.
Basha u shpreh se mes tij dhe Berishës nuk ka pasur një besë për t’u rënë me shkelm interesave të demokratëve nëse cenohej interesi i njërit apo tjetrit.
Rakipllari: Në librin tuaj “Misioni im” ju e kundërshtuar konceptin e vrasjes së babait. Akti që ju ndërmorët për pezullimin e z.Berisha nga grupi parlamentar nuk është një “vrasje e babait”? Si do i përgjigjeni akuzave të z.Berisha në planin personal që jeni besprerë?
Basha: Nëse ka një njeri në pozitat e një drejtuesi partie që nderon trashëgimi politike dhe respekton pasardhësin në gjirin e Partive Popullore Europiane apo kudo në planet ky jam unë. E kam treguar këtë duke treguar vlerat më të mira konservatore dhe traditën më të mirë të konservatorizmit shqiptar dhe konservatorizmit politik. E kam bërë në nderim të gjërave pozitive që Sali Berisha dhe ekipi i tij pjesë e të cilit kam qenë edhe unë ka bërë për Shqipërinë. Sigurisht duke tejkaluar edhe pjesët negative për të cilën kemi paguar koston tonë sa herë që jemi votuar nga shqiptarët për të dalur në opozitë. Kam vazhduar ta bëj këtë edhe kur kishte thirrje publike për linçimin e tij. Dhe e kam bërë edhe në momentin kur Shtetet e Bshkuara të Amerikës kanë bërë presionin maksimal për largimin e tij nga Partia Demokratike dhe largimin e tij nga parlamenti duke vendosur pezullimin e tij nga Grupi Parlamentar pa e larguar as nga Partia Demokratike, as nga parlamenti deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Shtete e Bashkuara të Amerikës, me partnerin strategjik të Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë.
Kjo besoj se e shpjegon fare qartë qëndrimin tim, qëndrim që më mirë se kushdo e ka patur të qartë Sali Bashrisha qëndrimet e të cilit ndryshojnë si nata me ditën, si e bardha me të zezën. Deri para 9 shtatorit isha lideri më i mirë i Partisë Demokratike. Ndonjëherë ka tejkaluar edhe vetën e tij në atë moment. Isha kandidati më i mirë për kryeministër, isha njeriu që në jetën time kisha realizuar gjëra që Edi Ramës do i duheshin 3 jetë për t’i realizuar. Çfarë ndryshoi pas 9 shtatorit? Qëndrimi im si kryetar i Partisë Demokratike në interesin më të mirë të demokratëve dhe në interes të të nesërmes së Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë për të pezulluar Sali Berishën. Duke respektuar kështu dhe duke konkretizuar kështu angazhimin e tij që nuk do të përfshinte Partinë Demokratike dhe Grupin Parlamentar në betejën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një vendim që duhet ta merrte vetë siç kam kërkuar që ta merrte vetë. Në momentin që Sali Berisha nuk i qëndroi premtimit të bërë publik që nuk do ta përfshinte Partinë Demokratike dhe as Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike në Betejën me Shtete e Bashkuara të Amerikës përkundrazi nis një betejë ku përfshiu tërësisht Partinë Demokratike. Pa pikë diskutimi që ka qenë minimumi i vendimit që duhej të merrja me përgjegjësitë e mia si kryetar i zgjedhur me një anëtar një votë, me votë plebishitare në respekt të sakrificës së demokratëve. Sa i përket besë prerjes që është një nga sulmet më të ulëta që është bërë nga Sali Berisha këto 2 muaj.
Nuk ka patur kurrë një besë midis meje dhe Sali Berishës për t’i rënë me shkelm sakrificës së demokratëve nëse cënohej interesi i njërit apo i tjetrit, për të mbrojtur shpinën e njërit apo të tjetrit. Jo! Me Sali Berishën na ka lidhur një tjetër besë nëse mund ta them këtë. Që ai ka ditur ta vlerësojë edhe publikisht. Besa e vlerave euroatlantike që na çoi dhe e çoi Shqipërinë në NATO, besa e interesit kombëtar për pavarësinë e Kosovës de njohjes së saj ndërkombëtare. Besa për interesat më të mira të shqiptarëve që nga heqja e vizave, tek ndërtimi i infrastrukturës moderne. Kjo ka qenë besa nëse mund ta quajmë besën që kemi lidhur me njëri-tjetrin dhe jo t’i binim me shkelm sakrificës së demokratëve nëse cënoheshin interesat personale të tij apo të miat. Kjo është e vërteta dhe gjithçka tjetër është një spekulim i pastër për të mbrojtur hallet personale të Sali Berishës./Balkanweb