Realpolitik “ Flash” No. 57
1 – 16 NENTOR 2022
EKSKLUZIVISHT PER ARGUMENTUM
Shkurt dhe Shqip mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik
Dr. Jorgji KOTE
1.Berlini çmontoi Ballkanin e Hapur në Samitin e zhvilluar më 3 Nëntor në Berlin, në kuadrin e procesit me të njëjtin emër, nën kryesimin e Kancelarit gjerman Olaf Scholz. Duke përmbledhur shkrimin tonë të botuar të nesërmen, më në fund, nisma gjymake e lançuar në Novi Sad tri vjet më parë heshti në Berlin. Tani nuk do ta dëgjojmë më atë avaz me përjashtim të ndonjë zëri të mekur dhe për inerci, siç ndodhi dhe në Shkup më 14 Nëntor në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive. Natyrisht që kështu do të ndodhte, e kemi nënvizuar sa herë te ARGUMENTUM dhe në këtë rubrikë; sepse ndryshe nga Procesi i Berlinit, ku janë të 6 vendet e Ballkanit Perendimor dhe 10 sponsorë të tjerë antarë të BE-së, “Ballkani i Hapur“ mbeti tri palësh, jo gjithëpërfshirës; aq sa dhe në Tiranë, Shkup dhe Beograd, një pjesë e madhe, për të mos thënë më e madhja e medias, publikut, politikës, opozitës, shoqërisë civile janë kundër për shkaqet dhe arsyet që janë analizuar më parë. “Ballkani i Hapur“ është pjellë e amatorizmit dhe aventurizmit politiko-diplomatik, mbivendosje dhe karshillëk i dëmshëm kundrejt “Procesit të Berlinit“ dhe “Tregut të Përbashkët Rajonal“ të BE-së.
Me argumenta absurdë, që meqenëse Berlini, Brukseli, Parisi dhe aktorë të tjerë të mëdhenj politikë dështuan, rajonin do ta shpëtonin demek Tirana, Beogradi dhe Shkupi! Mirëpo dhe ”bufi e di” se kjo nuk kishte shans të ndodhte. “Procesi i Berlinit“ nuk ka nevojë as për njësi shtesë sipas Ramës; ai ka Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal ( RCC) CEFTA etj. Gjithashtu, ai gëzon mbështetjen e plotë të SHBA-ve dhe të BE-së dhe me fonde prej 29 miliard Euro deri më 2027. Ndërsa “Ballkani i Hapur“ shumë, shumë pak. Mbi të gjitha, atij i mungon besueshmëria, për shkak të politikave të rrezikshme të Serbisë, e vetmja kërcënuese e paqes në rajon. Agresioni rus ndaj Ukrainës dhe qëndrimet e njohura serbe pro-ruse ishin ”gozhda e fundit në arkivolin“ e Ballkanit të Hapur, që ia mbërthyen më 3 Nëntor në Berlin.
2.Trump ”shkoi për lesh dhe u kthye i qethur” në zgjedhjet e mesmandatit të 8 Nëntorit në SHBA. Profecitë e tij mbi “valën apo dallgën e kuqe“ republikane dështuan me turp. Ndaj, kjo thënie e mençur i shkon shumë për shtat Trump-it, meqenëse këto zgjedhje ishin “trampolinë“ politike për fatin e tij në zgjedhjet presidenciale 2024. Republikanët e humbën senatin dhe po vuajnë shumë për të fituar, qoftë dhe “tangent“ Kongresin. Por, historia nuk mbaron këtu për Trump, humbësi më i madhi 8 Nëntorit, përgjegjësi dhe fajtori për disfatën tyre. Sfidanti i tij si kandidat për President më 2024, Ron De Santis rifitoi, madje bujshëm si Guvernator në Florida. Kësisoj, vështirë të kishte moment më të vështirë se ky 15 Nëntor për shpalljen e kandidaturës presidenciale nga Trump, ca më pak rikthimin e tij të suksesshëm në Shtëpinë e Bardhë. 8 Nëntori ishte ditë e mbarë dhe e mirë për demokratët, SHBA-të, demokracinë atje, me ndikim në Europë dhe më gjerë.
Presidenti Biden doli fituesi i madh i këtyre zgjedhjeve. Rezultati i 8 Nëntorit ishte më i miri në historinë 75 vjeçare të fundit për demokratët, megjithë kohërat tejet të vështira dhe sfiduese për ta dhe Presidentin Biden. Me këtë rezultat ai shkoi dhe në Samin e G-20 në Bali, ku zhvilloi një takim çtensionues me mesazhe të rëndësishme pozitive me homologun kinez Xi Jin ping dhe miratimin konsensual të Deklaratës përfundimtare.
3.Njet Tavarish Putin! tingëlloi fuqishëm në Samitin e 20 vendeve më të zhvilluara të botës ( G 20) më 14-15 Nëntor në Bali, Indonezi. Ndonëse jo vendimarrës, G 20 përfaqëson 2/3 e popullsisë, 75 për qind të tregtisë dhe 80 për qind të GD-së botërore. Putini ishte i munguari i madh i G-20 e cila dha shumë mesazhe pozitive dhe shpresëdhënëse – konkurrencë pa konfrontim, jo më ndarje të botës, jo më luftë të ftohtë! Padyshim që suksesi më i madh dhe me jehonë të gjerë planetare i Samitit ishte miratimi i Deklaratës Përfundimtare; për herë të parë, “operacioni special ushtarak“ rus u quajt “luftë“ i pranuar dhe nga vetë Lavrov që zëvendësonte Putinin në Samit.
Gjithashtu, termi parapak “shumë pjesëmarrës“ në Deklaratë ndryshoi në “shumica“ e pjesëmarrësve dënuan luftën ruse në Ukrainë me pasojat e saj në të gjitha fushat…“. Po ashtu, me konsensusin dhe të Kinës, Indisë, etj Deklarata shpreh hapur kundërshtimin e tentativave dhe kërcënimeve ruse për luftë bërthamore, në favor të forcimit të bashkëpunimit shumëpalësh. Për rrjedhojë, Samiti G 20 zgjeroi dhe forcoi më tej kohezionin ndërkombëtar në favor të Ukrainës dhe i tha Putinit “Njet tavarish!“ duke shtuar izolimin e tij politik dhe diplomatik.
4.“Shpëtimtarët e botës“ i konsideron shtypi i huaj 30.000 pjesëmarrësit e Konferencës Botërore të Klimës ( COP 27) në Kajro ( 7 – 18 Nëntor). COP është shkurtimi i titullit në anglisht “Konferenca e Palëve“( Conference of Parties) Krahas dhjetra kryetarëve të shtetit/qeverive të 197 vendeve atje do të jenë dhe qindra ministra mjedisi, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të forumeve të mbrojtjes së mjedisit, etj. COP1 u zhvillua në Berlin më 1995. Pjesëmarrësit e COP 27 mund të bëhen vërtet “shpëtimtarë të planetit“, nëse do të realizohen sipas afateve zotimet e shumta të bëra në takimet e mëparshme. Ja pse COP 27 mbiquhet dhe “konferenca e zbatimit“ Një ndër objektivat kryesore është sigurimi i shumës prej 300 Miliard Euro për klimën dhe ngrohjen globale, nga 100 miliard që ka qenë deri tani. Këto shuma do të përdoren për përballimin e kostove të “loss&damage“ ose të “humbje/dëmtimeve“ nga katastrofat e ndryshme natyrore. Po ashtu masa të rëndësishme parashikohen të ndërmerren për shmangien e ngrohjes globale dhe rritjes së temperaturave deri në 1,5 gradë celcius. Gjithsesi, ky objektiv rrezikohet për shkak të mungesës në këtë event planetar të vendeve me ndikimin më të madh në mjedis dhe ngrohjen globale – Kina, Rusia dhe India.
Në Shqipëri, megjithëse kërcënimet mjedisore janë shumë më të mëdha se gjetkë, kjo nuk përmendet si temë në politikë, media dhe publik. Sepse gjithçka e ka uzurpuar politika e ditës dhe politizimi i gjithçkaje; klima dhe mjedisi duket se u takojnë të tjerëve. Dhe në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Shkup më 14 Nëntor, mes temave të diskutuara dhe 21 marrëveshjeve të miratuara, nuk kishte pothuajse asgjë për mjedisin!
© 2022 Argumentum