Realpolitik “ Flash” No. 53
1 – 15 SHTATOR 2022
EKSKLUZIVISHT PER ARGUMENTUM
Shkurt dhe Shqip mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik, Mjeshtër i Madh
Dr. Jorgji KOTE
1.Berlini na del dhe na tepron! Këtë e tregoi qartë edhe Samiti i ” Ballkan i Hapur” më 2 Shtator, i zhvilluar në kuadrin e Panairit Ushqimor në Beograd më 1 – 4 Shtator. Mirëpo, megjithë aromën dehëse të verës, tam tamet dhe bujën propagandistike, ai ishte dështimi më i madh politiko-diplomatik i tij.
Veç të përhershmit sponsorizues, Alex Soros, nuk pati asnjë mysafir nga BE-ja, Presidenca e saj çeke dhe SHBA-të. Madje, asnjë mesazh qoftë dhe personal prej tyre, si më parë. Ndërkohë, Italia dhe Greqia e refuzuan për të dytën herë rresht ftesën; diçka e pritshme, sepse Italia është protagoniste e Procesit të Berlinit, për të cilin kohët e fundit ka shprehur interes edhe Greqia. Nuk e di sa ngushëllues ka qenë prania e kryediplomatëve nga Ankaraja dhe Budapesti, të cilët nuk janë në Procesin e Berlinit apo Zaevit dhe Abazovicit ”të rënë nga fiku”. Për ironi të fatit, shijen e verës dhe humorin politik të mysafirëve të lartë në Beograd e prishën dhe raportet/ sondazhet shqetësuese të Fondacionit prestigjioz « Rockefeler », Euroactiv, si dhe ekspertëve të mirënjohur ndërkombëtarë amerikanë, gjermanë. Po ashtu, arbitrariteti i paparë dhe dhuna e shtetërore shqiptare në ” Prestige Resort” e la dhe më shumë në hije këtë event. Ndaj dhe jehona në median rajonale dhe ndërkombëtare ishte Zero.
Problemi alarmant është se Vucic, Rama dhe Kovacevski nuk duan ta kuptojnë se dhe ky Panair do të kishte shumë më tepër sukses, gjithëpërfshirje dhe jehonë nëse do të ishte organizuar nën ombrellën e Procesit të Berlinit dhe Tregut të Përbashkët Rajonal të BE-së! Se aty do ishin të 6 vendet e rajonit dhe të paktën 6 herë më shumë firma pjesëmarrëse! Plus, personalitete nga Uashingtoni, Brukseli, Berlini, Parisi, Roma, Londra, Praga që mban kryesinë e BE-së, etj. Por ja që karshillëku i dëmshëm ndaj Berlinit dhe Brukselit u ka zenë sytë ”të kapurve” të ” Ballkan i Hapur” dhe nuk i lejon të shohin më larg se Beogradi, Tirana dhe Shkupi! Le të shpresojmë se deri më 3 Nëntor, kur do të rimblidhet Samiti i Procesit të Berlinit, ata do t’i thërasin mendjes dhe do e kuptojnë se Berlini dhe Brukseli na dalin dhe tepërojnë, ndaj MJAFT më me Ballkan i H(K)apur!
2.Erdogan, kushtet ose harram! Pas takimit ” kallkan” Erdogan – Rama« në Ankara, Turqia dha dy dëshmi të tjera të hatërmbetjes politike me Tiranën zyrtare. Disa javë më parë, Ministri i Jashtëm Cavutogllu kreu një tur ballkanik, por e shmangu Tiranën. Dhe në Samitin e Ballkan i Hapur në Beograd nuk e takoi Edi Ramën. Ndërkohë, më 7 – 9 Shtator, Presidenti Erdogan ishte në një tur ballkanik, por sërish e « harroi » Tiranën. Ndonëse kishte premtuar se do të shkonte atje në muajin Maj. Ka dhe të dhëna e aludime të tjera që tregojnë qartë se Tirana zyrtare duhet të plotësojë kërkesat e Ankarasë lidhur me dëbimin e elementëve gjylenistë në fushën e arsimit, kulturës, biznesit dhe nga Kryesia e Komunitetit Mysliman; ndryshe, « harro mushkë Valarenë » Shkurt hesapi, Erdogani i thotë « vëllaut » të tij Rama: « prano kushtet ose harram» Po SHBA-të dhe BE-ja?
3. Dialogu, peng i Vuçiç! Kjo mund të thuhet me siguri pas debatit 25 orësh në Parlamentin serb me 13-14 Shtator, ku Presidenti Vuçiç u stërbetua se Beogradi nuk do të njohë Kosovën, se do të vazhdojë fushatat për çnjohje të mëtejshme dhe se Serbia është e përgatitur për çdo konflikt të armatosdur, se ajo është 10 herë më e fortë se më 1999. Këtë betim Vuçiç e bëri sapo u kthye nga Brdo, kur vazhdon të mos sanksionojë Rusinë dhe me mbrojtjen e ” vëllait” politik në Tiranë, dhe kur të Dërguarit e lartë diplomatikë të Scholz dhe Macron sapo e kishin takuar atë dhe Kurtin, bashkë me Lajcak; kur ata ia thanë troç që të njohë Kosovën, pa një pa dy ! Vuçiç e konsideroi këtë si « kornizë të re dialogu » por në fakt asgjë të re nuk ka veç trysnisë në rritje. Çështë më e keqja, Vuçiç po e mban peng dialogun me Kosovën kur « gjeografia « e ekipit negociator ndërkombëtar vazhdon të zgjerohet. Krahas BE-së, SHBA-ve, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Francës, tashmë dhe Slovenia ka të dërguarin e saj. Urojmë të mos vërtetohet thënia se ”shumë mami e nxjerrin fëmijën çyryk » Duket qartë se tani « nuk mban më ujë pilafi » dhe « kupa është mbushur plot”. Le ta themi açik – pa e çliruar nga ”kthetrat” serbe, do të jetë e pamundur që dialogu-peng të dalë nga qorrsokaku ku e kanë futur.
4. ”Fjalë të mira dhe gurë në trastë» Ky aforizëm të vjen ndërmend pas Samitit Rajonal në Brdo më 12 Shtator. Në fakt, ishte zgjatim dhe vazhdim i Teatrit Veror ballkanik. Gjithçka rozë, a thua se Rajoni ynë nuk ka asnjë problem, veç liberalizimit të vizave dhe përshpejtimit të zgjerimit, të dyja detyra të BE-së ; ndonëse ky mesazh është dhënë aq shumë herë sa është « bërë bozë » dhe nuk e dëgjon njeri. Të 6 liderët pjesëmarrës, në atmosferën verore diellore të Brdos, nën aromën e pijeve të famshme slovene dhe kroate, lartg zhurmës dhe medias zbatuan aforizmin « në vendin e të varurit, mos përmend litarin » Ndaj, nuk u dëgjua asgjë për dialogun Prishtinë – Beograd, për krizën në Malin e Zi, në Bosnie, për problemet ndërmjet vendeve të rajonit, krizën energjitike, as për Ballkanin e Hapur, meqëseRama mungonte. Vetëm « fjalë të mira dhe gurë në trastë ». Doemos përderisa samitet janë bërë si simitet, me bollëk, në verë dhe tani në vjeshtë. Brdo pasoi atë të Selanikut, Beogradit, Ohrit, Alpbahut…. Ndoshta ka ardhur koha që të shihet mbajtja ose reduktimi i tyre, sepse veç harxhimit të kohës dhe ngarkesës së aparateve qeveritare, asgjë në trastë, as afrim, veç largim pozicionesh, siç e pamë dhe te Vuçiç, që sapo u kthye në Beograd nxitoi të betohej se nuk do të ketë njohje të Kosovës ! Nga ana tjetër vazhdon ta ftojë Kosovën te ” Ballkan i Hapur”! Çfarë hipokrizie! Duke i hequr samite të tilla nga axhenda rajonale, sepse janë kthyer vërtet në spektakle të mërzitshme pa asnjë dobi, edhe shpenzimet jo të vogla për to mund fare mirë të përdoren për festivale kulturore, takime të rinjsh, etj.
© 2022 Argumentum