Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka mbajtur të pandryshuar pritshmërinë për ecurinë ekonomike të vendit në vitin 2020, për një rënie prej -9%, duke ulur ndjeshëm edhe parashikimin për rritjen ekonomike vitin e ardhshëm.
Në raportin “Perspektiva Ekonomike Globale në rajonet e BERZH”, të sapo publikuar, ekonomia shqiptare, pas rënies me 9% në vitin 2020 pritet që të rritet me vetëm 4.5% në vitin 2021.
Ky është rishikimi më i madh në ulje, jo vetëm për vendet e Ballkanit, por për të gjithë rajonin e BERZH.
Serbia pritet që ta vuajë më pak krizën, me një tkurrje prej -3.5% ndërsa Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnja do të shohin një rënie prej -5%.
Më herët, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar uli pritshmërinë për ecurinë ekonomike të vendit nga -5% në vlerësimin e prillit, në -7.5% në raportin e fundit.
Sa më shumë kalon koha aq më të zymta bëhen parashikimet e institucioneve ndërkombëtare për rritjen ekonomike të Shqipërisë si rrjedhojë e pasojave që po shkakton COVID-19, duke rezultuar një nga vendet që do ta vuajë më shumë krizën në Europë.