Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike në tremujorin e dytë të këtij viti u ul me 0.7 pikë. Rënia u rikthye pas një rritje të papritur të regjistruar në tremujorin e parë me 4,6 pikë. Gjithsesi, sipas raportit të Scan, treguesi i ndjesisë ekonomike vijon të mbetet mbi mesataren e tij afatgjatë. Me gjithë përmirësimin e besimit në sektorin e shërbimeve, rënia pasqyroi kontraktimin e besimit në sektorët e industrisë, ndërtimit, tregtisë dhe besimit konsumator.
Treguesi i besimit në sektorin e industrisë ra me 2.3 % gjatë tremujorit të dytë. Me gjithë dinamikën rënëse, ky nivel qëndron mbi mesataren historike, me 3.2 %. Niveli më i ulët i treguesit i atribuohet kryesisht rënies së prodhimit, dhe, më pak, përkeqësimit të kontratave porositëse. Megjithatë, në lidhje me prodhimin, bizneset e sektorit të industrisë presin përmirësim.
Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve u rrit me 2.8 % gjatë tremujorit të dytë dhe mbetet mbi mesataren historike të tij. Përmirësimi pasqyroi rritjen e ecurisë së biznesit dhe kërkesës.
Treguesi i besimit konsumator ra me 2.3 % gjatë tremujorit të dytë, duke ndërprerë dinamikën rritëse të dy tremujorëve të mëparshëm. Megjithatë, treguesi mbetet mbi mesataren historike të tij. Dinamika rënëse e besimit konsumator pasqyroi rënien e tre pikave: situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend me 4.6 %, situata financiare e pritur e familjes me 3.6 % dhe situata e të ardhurave dhe shpenzimeve me 1 %.