Besimtarët e krishterë – katolikë, ortodoksë e ungjillorë – kremtojnë sot festën e Pashkës, ringjalljen e Jezu Krishtit.
Pashka është ndër festat më të rëndësishme të besimit të krishterë që simbolizon triumfin e jetës ndaj të keqes, vdekjes.
Këtë vit jubilar ekumenik Pashkët festohen në të njëjtën ditë si në kalendarin Gregorian ashtu edhe në atë Julian.
Të krishterët perëndimorë ndjekin kalendarin Gregorian, të prezantuar nga papa Gregori XIII në shekullin XVI, kur u vu re se datat po dilnin jashtë përputhjes me stinët.
Por shumë kisha ortodokse mbeten me kalendarin më të vjetër Julian nga koha e Jul Cezarit, që do të thotë se tani ka një hendek 12-ditor midis dy kalendarëve.
Në janar të këtij viti Papa Françesku bëri thirrje për një datë të përbashkët për Pashkët mes kishave të krishtera, nën frymën e promovimit të unitetit.
Pashkët paraprihen nga koha parapërgatitore e agjërimit që zgjat 40 ditë që quhet Kreshmë që fillon nga e “Mërkura e Përhime” dhe mbaron të dielën e Palmave, e diela e fundit para ditës së Pashkës.
Gjatë kohës së Kreshmës, përkujtohen ditët e kaluara në shkretëtirë të Krishtit në lutje e agjërim.
Pas kremtimit të “Udhës së Kryqit, të shtunën besimtarët katolikë i janë drejtuar kishës për bekimin e ushqimit, një tjetër ritual i festës së Pashkëve. Në shportën me ushqime që përmban tryeza e së dielës së Pashkës, nuk mungon buka e Pashkës, një shishe vere, pak djathë dhe hudhra të njoma që simbolizojnë ardhjen e pranverës si dhe veza e kuqe, simboli i ngjalljes së Krishtit dhe ripërtëritjes.
Gjithashtu edhe besimtarët ortodoksë në mbarë vendin besimtarët kremtuan në mesnatë ngjalljen e Krishtit në meshën e Pashkës. Me lutjet për paqe dhe mirësi, besimtarët ortodoksë ndoqën meshën e ngjalljes së Krishtit në Kishat dhe Katedralet në gjithë vendin.
“Krishti u ngjall, vërtet u ngjall!”, ishin fjalët që ndajnë besimtarët ortodoksë me njëri-tjetrin.
Besimtarët në kryeqytet kanë ndezur qirinj në “Katedralen Ortodokse Ngjallja e Krishtit” për të çuar në shtëpi dritë nga drita e Jezu Krishtit i cili tanimë u ngjall vërtetë.
Festimet e Pashkës pas meshës së madhe të së shtunës mbrëma përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës.
Për festën e Pashkës, besimtarët shkëmbejnë dhe thyejnë vezët e lyera me ngjyrë të kuqe, simboli i jetës e më pas urojnë njëri-tjetrin për këtë ditë të shënuar.
Veza e kuqe është një veçori karakteristike e kësaj feste që simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.
Tradita e vezëve ka zanafillë pagane që vijon edhe sot e kësaj dite që simbolizon rilindjen e natyrës në stinën e pranverës.
Në tryezën e kremtimit të Pashkëve nuk mungon mishi i qengjit, një tjetër simbolikë e kësaj feste prej shekujsh. Karakteristikë e kësaj feste është edhe qumështori, ëmbëlsirë tipike pranverore që përgatitet me vezë dhe shoqëruar me hudhra të njoma.