Mesha e Pashkës katolike e ka gjetur pa besimtarë katedralen e “Shën Palit” këtë vit.
Ata i kanë ndjekur ritualet në shtëpitë e tyre për shkak të masave ndaluese si pasojë e COVID-19.
Arqipeshkvi imzot George Frendo, i cili drejtoi meshën e shenjtë në këtë katedrale, dha disa mesazhe dhe fjalën e tij, nisur edhe nga situata që po kalon vendi por edhe e gjithë bota.
Frendo: Të gjithë ne këto javë kemi përjetuar dhimbjen e lindjes. Edhe unë në këtë moment kur nuk kam një mori të madhe besimtarësh siç kemi pasur çdo vit. Por Jezu Krishti që sot doli i gjallë dhe i lavdishëm nga varri pas mundimeve të kryqëzimit, sot na frymëzon dhe na mbush me shpresë. Po bëjmë shumë sakrifica.
Një mesazh, arqipeshkvi e kishte dhe për ata që duan të largohen nga vendi.
Frendo: Kush ëndërron të largohet nga Shqipëria për të shkuar në një vend më të pasur mendon se është guximtar. Por ai që vendos që të qëndrojë në Shqipëri duke ëndërruar një Shqipëri më të mirë është hero.
Në mesazhin “Krishti u ngjall”, lutja e të gjithëve ishte për një të ardhme më të mirë. Pa besimtarë në sallë u kremtua mesha e Pashkës katolike edhe në qytetet e tjera të vendit.
Shumë qytetarë në Lezhë ndezën qirinjtë duke pritur ringjalljen e Krishtit, në ballkonin e shtëpive të tyre.
Në kalendarin e krishterë, Pashkët janë festa më e rëndësishme e cila simbolizon ringjalljen e Krishtit.
Simboli i kësaj feste është veza e kuqe e cila simbolizon jetën që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj.
Ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve, simbolizon sakrificën.