Gëzuar Pashkët! Krishti u ngjall! Me këtë urim besimtarët katolikë në Shqipëri kremtojnë të dielën, (04.04) për të dytin vit Pashkët Katolike në kushtet e pandemisë Covid-19. Ndryshe nga vitii i kaluar, kur ritet u zhvilluan pa praninë e besimtarëve për shkak të karantinës, sivjet besimtarët mbushën katedralet e tyre dhe ndoqën Meshën e Shenjtë. Rituali fetar i kremtimeve nisi në pasditen e djeshme, (03.04) për të respektuar masat kufizuese dhe orën policore, që nis në orën 20.00 të mbrëmjes deri në 06.00 të mëngjesit të ditës së nesërme.
Për besimtarët katolikë Pashkët janë simboli i fitores së të mirës mbi të keqen, kujtesa simbolike e ringjalljes së Krishtit pas Kryqëzimit dhe mposhtjes prej tij të vdekjes. Në Katedralen e Shën Palit, në Tiranë, rituali filloi me ndezjen e zjarrit në oborrin e Katedrales, që simbolizon largimin e të keqes, vuajtjes, dëshpërimit dhe triumfit të jetës.
Arkipeshkvi Metropolitan i Tiranës dhe Durrësit, Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore, Imzot George Frendo, në fjalën e tij drejtuar besimtarëve katolikë bëri thirrje që “urrejtja të mposhtet nga dashuria për njëri-tjetrin, hakmarrja të carmatoset, mosmarrëveshjet të shndërrohen në mirëkuptim”. “Drita që lind sot jam i bindur se do të ndezë edhe më shumë shpresën dhe kurajën në zemrën dhe mendjen e çdo shqiptari, për të mposhtur të keqen, me besim tek Zoti.”theksoi ai.
Vota e 25 prillit – për të mirën e përbashkët
Arkipeshkvi, Imzot George Frendo solli në vëmendje të besimtarëve katolikë që kremtimi i Pashkëve të sivjetme bëhet tri javë para zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit. “25 prilli është një ditë shumë e rëndësishme për popullin shqiptar, që duhet të zgjedhë ata që do ta përfaqësojnë në parlament. Votën e tij të lirë gjithkush ta përdorë për të mirën e përbashkët”, tha mbrëmë ( 03.04) Imzot George Frendo.
Ai u bëri thirrje kandidatëve për deputetë “të bëjnë një fushatë zgjedhore të pastër, dinjitoze pa sharje të karaktetit personal apo familjar, të mos përdorin një fjalor që nuk nxit respekt për profesionin fisnik të politikanit” apeloi ai.