Vigjilja e natës së Pashkëve kremtohet per here te pare ne mesnate pas 2 vitesh nga pandemia Covid-19 në Katedralen e Shën Palit.
Pashka është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike Romake dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.
Java para Pashkëve është quajtur Java e Shenjtë, dhe ajo përmban Tri Ditët e Pashkëve, që përfshijnë Të Enjten e Shenjtë, që përkujton Darkën e Fundit, Të Premten e Shenjtë, që përkujton kryqëzimin dhe vdekjen e Jezusit.
Politikanët në Shqipëri sipas tradites urojnë besimtarët për festën e pashkëve;
Presidenti Meta
“Në vigjilje të Pashkës së Madhe u përcjell besimtarëve të krishterë katolikë e ungjillorë dhe të gjithë popullit shqiptar urimet më të përzemërta, për sa më shumë mbarësi, paqe, begati dhe lumturi në çdo familje. Ngjallja e Krishtit, që kremtojmë së bashku, shpall fitoren e jetës mbi vdekjen, të dashurisë mbi urrejtjen dhe të shpresës mbi dëshpërimin”, shprehet Meta.
“Festa frymëzuese e Pashkës, thekson Meta, na fton për të mos harruar sakrificat e Krishtit për ne, për të dëshmuar me vepra shembullin e jetës së Tij, çdo ditë, duke qenë në shërbim dhe me përulësi pranë njerëzve në nevojë dhe për të mbajtur pranë zemrave tona këdo që vuan. Misioni i Krishtit ishte të na mësojë dhe të na tregojë rrugën e dashurisë ngadhënjyese, për të mos u dorëzuar tek materializmi dhe konsumizmi”.
“Le të shërbejë ky shembull për të gjithë ne! Për të ndërtuar një Shqipëri më të dashur dhe më të dhembshur, ku të ekzistojnë të gjitha hapësirat për një të ardhme të sigurt. Në këtë mënyrë do të ndalim shpopullimin dhe në veçanti largimin e të rinjve. Sonte është koha për t’u gëzuar dhe për të falënderuar Zotin duke shpallur: Krishti u ngjall. Me te vërtetë u ngjall”, shprehet Meta.
Kryeministri Rama
Në vigjilje të Pashkëve katolike Kryeministri Rama ka zgjedhur të urojë me një mesazh në një postim në rrjetin social Facebook.
“Vigjilja e Pashkëve është vigjilja e rilindjes së jetës, dashurisë dhe shpresës”, ka shkruar Rama duke i konsideruar si fjalët e muajit.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla,
Në urimin e saj Nikolla, shprehet se festa e Pashkëve është një festival besimi e lumturie për të gjithë besimtarët katolikë.
“Në vend të urrejtjes të lulëzojë harmonia, në vend të dëshpërimit, shpresa!
Festa e Pashkëve është një festival besimi e lumturie për të gjithë besimtarët katolikë.
Gëzimi i kësaj feste na frymëzon të besojmë e punojmë që atje ku ka urrejtje, të lulëzojë harmonia; atje ku ka errësirë, të ndriçojë drita.
Atje ku ka dëshpërim, të lindë shpresa; atje ku ka vuajtje, të lehtësojmë dhimbjen; atje ku ka varfëri, të krijojmë mirëqenie.
Gëzuar Pashkët!”, shprehet kryeparlamentarja.
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi
“Pashkë të bekuara dhe të gëzuara për çdo familje shqiptare! Krishti i Ringjallur është siguri se shpresa nuk vdes kurrë, se gjithmonë mund të rinisim, e me dashuri në zemër mund të krijojmë një botë e të ardhme më të mirë.”, shkruan Kryemadhi.
/Argumentum.al