Pas 30 ditësh agjërim dhe lutje, besimtarët myslimanë festuan të hënën Fitër Bajramin. Në Tiranë, besimtarët u lutën në sheshin “Skënderbej”, ku u zhvillua ceremonia me fjalën e imamëve të pranishëm edhe këtë vit.
Në mesazhin e tij, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu ka uruar besimtarët pas muajit të agjërimit, duke thënë se të gjithë kanë marrë dimensione të reja shpirtërore dhe morale.
“Muaji i Ramazanit është muaji ku për secilin prej nesh u krijuan rrethanat për shpëtim dhe udhëzim në rrugën e drejtë. Ju lutemi dilni nga muaji i Ramazanit me pastërti dhe ndriçim shpirtëror”, tha ai.
Sipas tij, kushdo që ka agjëruar ka fituar dimensione të reja shpirtërore dhe morale dhe agjërimi është një obligim, një mundësi dhe një nder që Zoti u ka dhënë njerëzve për të pastruar të vjetrën dhe për të hapur rrugën drejt së resë.
Spahiu apeloi që të gjithë të jenë më të përkushtuar ndaj prindërve, të moshuarve dhe të jenë pranë fëmijëve jetimë. “Të japim dorën personave me nevoja të veçanta, të kujdesemi për ta dhe të tregojmë mëshirë ndaj tyre. Nuk mund të mendohet se do të ketë gëzim dhe kënaqësi në Bajram për ata që ua kthejnë shpinën miqve, të afërmve, të varfërve dhe një vëllai të lënë anash”, tha ai gjatë ceremonisë.
“Punoni me ndershmëri ndaj vendit, mos prekni pronën publike, mos sillni të ardhura të paligjshme në shtëpitë tuaja! Mos prek dinjitetin, nderin dhe shtëpinë e tjetrit, këto janë parime fetare, parime universale! Këto janë veprime që pikëllojnë Zotin”, nënvizoi Spahiu.
Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar foli edhe për luftën në Ukrainë, duke uruar paqe dhe prosperitet në botë pasi pasojat e konflikteve ndjehen kudo dhe prekin njerëzit e pafajshëm.
Ceremoni të tilla mbaheshin edhe në vise të tjera të Shqipërisë, ku pjesa më e madhe e popullsisë është e besimit mysliman. /Argumentum.al