Besimtarët ortodoksë festojnë sot Pashkën, një ditë e shënuar e kalendarit fetar.
Si çdo vit të shtunën e Madhe të Pashkëve ortodokse, zjarri i shenjtë iu kalua me qirinj besimtarëve që shkëmbyen mes tyre urimet e rastit për këtë ditë të rëndësishme në kalendarin festiv ortodoks.
Pashka është një nga kremtimet më të mëdha të ortodoksëve. Ata risjellin ne vëmendje ngjarjen e madhe të ngjalljes së Jezusit të Nazaretit, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.
Festimet e Pashkës nisën me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës. “Krishti u ngjall”, është “refreni” i kësaj dite festive i cili shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët duke trokitur vezën e kuqe të Pashkëve që simbolizon gjakun e Krishtit.
Kryepeshkopi Janullatos në mesazhin drejtuar të gjithë besimtarëve tha se “le të lëmë që drita e Ngjalljes të ndriçojë jetën tonë dhe Shpirti i Shenjtë të na dhurojë qëndresë, durim, shpresë”.