Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka bërë thirrje për unitet teksa SHBA-ja po kujton viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Në një video të publikuar më 10 shtator, për 20-vjetorin e sulmeve, ai kujtoi 2,977 njerëzit që humbën jetën nga këto sulme.
“Ne nderojmë të gjithë ata që rrezikuan dhe janë jetën e tyre në minutat, orët, muajt dhe vitet më pas”, tha Biden, teksa iu drejtua punëtorëve të emergjencave që u përgjigjën pas sulmeve.
Në SHBA gjatë të shtunës do të mbahen një sërë aktivitetesh për të kujtuar viktimat e sulmeve.
“Pavarësisht sesa kohë ka kaluar, këto përkujtime rikthejnë gjithçka, sikurse të kishim marrë lajmin pak sekonda më parë”, tha presidenti, raporton BBC.
Biden pranoi se “forca të errëta të natyrës njerëzore – frika dhe zemërimi, pakënaqësia dhe dhuna kundër myslimanëve amerikanë” ndodhën pas sulmeve, por tha se uniteti është “forca më e madhe” e SHBA-së.
“Kemi mësuar se uniteti është diçka që nuk duhet të thyhet kurrë”, theksoi presidenti amerikan.
Sulmet u planifikuan nga Al-Kaida nga Afganistani. Katër avionë pasagjerësh, me sulmues vetëvrasës në bord kryen sulmet. Dy goditën Kullat Binjake në Nju Jork.
Një avion tjetër u përplas në Pentagon, në periferi të kryeqytetit amerikan, Uashington DC dhe avioni i katërt u rrëzua në një fushë në Pensilvani, pasi pasagjerët kishin arritur që të përlesheshin me sulmuesit që gjendeshin në bord.
Presidenti Biden pritet që së bashku me Zonjën e Parë, Jill Biden të vizitojë tri vendet ku ndodhën sulmet.
Po ashtu, është paraparë që të mbahen gjashtë momente të heshtjes, që do të korrespondojnë me goditjen nga avionët të Kullave Binjake dhe më pas rrëzimin e tyre si dhe me momentin kur Pentagoni u sulmua nga një avion pasagjerësh.
Përkujtimi i viktimave të 11 shtatorit këtë vit vjen në një kohë të vështirë për presidentin Biden, i cili po përballet me kritika,pasi tërhoqi trupat nga Afganistani dhe i dha fund prezencës ushtarake në këtë shtet, më pak se një muaj, para se të shënohen 20-vjetori i sulmeve.
Biden kishte premtuar se SHBA-ja do të largohej nga Afganistani në 20-vjetorin e sulmeve dhe kishte thënë se ka pak gjasa që talibanët ta marrin kontrollin e shtetit.
Por, grupi militant mori kontrollin e shtetit në më pak se 10 ditë.