Presidenti Joe Biden hodhi poshtë një marrëveshje të propozuar prej afro 15 miliardë dollarësh, në bazë të së cilës kompania japoneze e çelikut ‘Nippon Steel’ do të blente kompaninë amerikane me bazë të Pittsburgh ‘US Steel’. Me këtë vendim, Presidenti Biden çon në vend premtimin e tij të mëparshëm për të bllokuar blerjen e kompanisë më të njohur amerikane të çelikut.
“Ne na duhet që kompanitë e mëdha amerikane që përfaqësojnë pjesën më të madhe të kapacitetit të prodhimit të çelikut në vend, të jenë në krye të prodhimit në emër të interesave kombëtare të Amerikës”, tha zoti Biden në një deklaratë të premten në mëngjes.
Vendimi i tij vjen pasi Komisioni për Investimet e Huaja në Shtetet e Bashkuara (CFIUS) nuk arriti një konsensus mbi rreziqet e mundshme të sigurisë kombëtare të marrëveshjes muajin e kaluar dhe i dërgoi një raport të shumëpritur për blerjen e mundshme zotit Biden.
Presidenti duhet të merrte një vendim përfundimtar brenda 15 ditësh. Komisioni i kryesuar nga Sekretarja e Thesarit Janet Yellen dhe i përbërë nga anëtarë të tjerë të kabinetit, mund të rekomandojë që presidenti të bllokojë një transaksion të caktuar dhe ligji federal i jep presidentit të drejtën ta bëjë një gjë të tillë.
Një zyrtar amerikan me dijeni për këtë çështje, i cili foli në kushte anonimiteti, i tha agjencisë Associated Press muajin e kaluar se disa agjenci federale të përfaqësuara në komision nuk besonin se blerja e kompanisë amerikane të çelikut nga një kompani japoneze, do të përbënte rrezik për sigurinë kombëtare.
Vendimi vjen vetëm disa javë përpara se presidenti demokrat të mbarojë mandatin dhe mund të dëmtojë marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Japonisë, aleatja më e madhe e Amerikës në Azi.
Zoti Biden u shpreh për herë të parë kundër marrëveshjes marsin e kaluar – dhe u mbështet nga sindikata e punonjësve të çelikut ‘United Steelworkers’, që ishte e shqetësuar se kompania mund të mos respektonte marrëveshjet ekzistuese të punës, ose mund të shkurtonte vendet e punës, si dhe mbi transparencën financiare të firmës.
“Është e rëndësishme që të kemi kompani të forta amerikane të çelikut me punëtorë amerikanë” tha zoti Biden në një deklaratë në mars, përpara se të dilte nga gara presidenciale.
“‘US Steel’ ka qenë një kompani ikonë amerikane e çelikut për më shumë se një shekull dhe është jetike që të mbetet një kompani amerikane çeliku, me pronësi dhe operim brenda vendit”, tha ai.
Edhe Presidenti i zgjedhur Donald Trump e ka kundërshtuar blerjen dhe u zotua në dhjetor në platformën e tij “Truth Social” se do ta bllokonte marrëveshjen dhe do të përdorte stimuj taksash dhe tarifa për të forcuar kompaninë.
Të premten, presidenti i ‘United Steelworkers’, David McCall tha se sindikata është mirënjohëse për veprimin e zotit Biden për të bllokuar shitjen dhe e quajti atë “lëvizjen e duhur për anëtarët tanë dhe sigurinë tonë kombëtare”.
Zoti McCall kishte vënë prej kohësh në pikëpyetje statusin e ‘Nippon Steel’ lidhur me interesat tregtare kombëtare të SHBA-së dhe përsëriti të njëjtin qëndrim të premten, duke thënë në një deklaratë se “Nippon ka dëshmuar se vazhdimisht ndjek taktika mashtruese në tregti”.
“Blerja e firmës ‘US Steel’, do t’i jepte asaj mundësinë të destabilizonte më tej sistemin tonë tregtar nga brenda dhe rrjedhimisht të pengonte aftësinë tonë për të përmbushur nevojat tona të sigurisë kombëtare dhe të infrastrukturës kritike,” tha zoti McCall.
Ai përsëriti se ‘US Steel’ ka mjetet e duhura financiare për ta bërë kompaninë të fortë dhe të qëndrueshme.
Nga ana e saj, kompania ‘Nippon Steel’ kishte thënë se ishte në pozitën më të mirë për të ndihmuar prodhimin e çelikut amerikan të konkurronte në një industri të dominuar nga kinezët dhe për të investuar miliarda në objektet e përfaqësuara nga ‘United Steelworkers’, përfshirë furrnaltat e vjetëruara të kompanisë.
Kompania ishte zotuar të mbronte industrinë e çelikut amerikan në çështjet tregtare.
‘Nippon Steel’ njoftoi në dhjetor 2023 se kishte në plan të blinte kompaninë amerikane të çelikut për 14.9 miliardë dollarë dhe u zotua se do ta ruante emrin e kompanisë ‘U.S. Steel’ dhe do ta mbante selinë qendrore të saj në Pittsburgh.
Pavarësisht kësaj, propozimi i kompanisë japoneze ngriti shqetësime lidhur me pasojat që mund të kishte blerja për punëtorët e sindikalizuar, zinxhirët e furnizimit dhe sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Vendimi i Presidentit Biden vjen mes një vale mbështetjeje politike për rindërtimin e sektorit të prodhimit të Amerikës dhe pason zgjerimin e tarifave proteksioniste të SHBA-së, që analistët thonë se kanë ndihmuar në rigjallërimin e çelikut vendas.
‘Nippon Steel’ zhvilloi një fushatë të gjerë për të siguruar mbështetje, madje edhe duke ofruar 5000 dollarë shpërblim për çdo punonjës të ‘U.S. Steel’ nëse realizohej blerja, një shpenzim prej gati 100 milionë dollarësh.
Një numër në rritje konservatorësh dhe grupesh biznesi e kishin mbështetur publikisht marrëveshjen, pasi ‘Nippon Steel’ bëri për vete disa anëtarë të sindikatës së punonjësve të industrisë së çelikut dhe kryebashkiakë në zonat pranë furrnaltave të çelikut në Pensilvani dhe Indiana.
Mike Pompeo, i cili shërbeu si Sekretari i parë i Shtetit i zotit Trump, e quajti “dritëshkurtër” refuzimin e mundshëm të marrëveshjes në gazetën Wall Street Journal muajin e kaluar.
“Marrëveshja do të forconte operacionet aktuale dhe kapacitetin e prodhimit të ‘US Steel’, do të sillte përfitime për punëtorët dhe komunitetet e tyre dhe do të rriste konkurrencën e industrisë amerikane të çelikut,” shkruante ai./voa