Presidenti Joe Biden dhe Presidenti francez Emmanuel Macron deklaruan se kurrë nuk do të ushtronin trysni ndaj Ukrainës për të negociuar përfundimin e luftës me Rusinë. Ata thanë se Shtetet e Bashkuara dhe Franca qëndrojnë të bashkuara si kurrë më parë me aleatët e tyre të NATO-s, kundër agresionit të Moskës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine njofton.
Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden pritën të enjten në Shtëpinë e Bardhë presidentin francez Emmanuel Macron dhe bashkëshorten e tij, Brigitte Macron. Kjo shënon vizitën e parë shtetërore të një udhëheqësi të huaj gjatë presidencës Biden.
Mbështetja për Ukrainën, ndërsa po afron një dimër i acartë, e teksa Rusia po dëmton infrastrukturën energjetike të vendit, ishte në krye të axhendës së tyre.
Gazetarët pyetën presidentin Biden nëse do të zhvillonte bisedime me presidentin rus Vladimir Putin në një përpjekje për t’i dhënë fund luftës.
“Nuk kam ndonjë plan për të kontaktuar zotin Putin. Por jam i gatshëm të bisedoj me të. Nëse ka interes nga ana e tij për të gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund luftës, gjë që ai nuk e ka bërë ende, por nëse do ishte kështu, në konsultim me miqtë e mi francezë e të NATO-s, do të isha i lumtur të ulesha me zotin Putin për të kuptuar se çfarë dëshiron ai, e çfarë ka në mendje”, tha zoti Biden.
Zoti Macron u pyet nëse ka patur një kërkesë nga Presidenti Biden që të bëjë përpjekje për të bindur Ukrainën që të negociojë për t’i dhënë fund luftës, për shkak të rrezikut që i kanoset stabilitetit botëror.
“Ne kurrë nuk do t’i nxisim ukrainasit të bëjnë një kompromis, që nuk do të jetë i pranueshëm për ta. Ata janë shumë të guximshëm dhe mbrojnë, jetën e kombin e tyre, si dhe parimet tona. Nëse do të bënim ndryshe, nuk do të ndërtonin kurrë një paqe të qëndrueshme”, tha zoti Macron.
Pavarësisht disa dallimeve të mprehta mbi një ligj të ri të SHBA-ve që favorizon produktet amerikane të lidhura me energjinë e pastër, në kurriz të konkurrentëve evropianë, presidentët Biden e Macron ripohuan se Parisi është aleati më i vjetër i Uashingtonit dhe se të dy vendet janë të rëndësishëm për t’i bërë ballë Rusisë.
Kremlini tha sot se Presidenti Vladimir Putin është i hapur për bisedime mbi një zgjidhje të mundshme mbi Ukrainën, por shtoi se refuzimi i Shteteve të Bashkuara për të njohur territoret e aneksuara nga Moska, po bëhet pengesë për një kompromis të mundshëm.
“Mënyra më e preferuar për të arritur qëllimet tona është nëpërmjet mjeteve paqësore e diplomatike“, tha zoti Dimitri Peskov. “Putini ka qenë, është dhe mbetet i hapur për kontakte e negociata”, shtoi ai.
Rusia ka shpallur aneksimin e rreth një të pestës së territorit të vendit ish-sovjetik, Ukrainës, gjë që Perëndimi dhe Kievi thonë se nuk do ta pranojnë ndonjëherë. Kremlini thotë se kjo është pengesë për gjetjen e një kompromisi të mundshëm.
I pyetur nëse Moska shihte një mundësi për negocita pas deklaratës mbi këtë çështje të presidentit Biden, zoti Peskov tha se “në thelb, zoti Biden u shoreh se negociatat janë të mundshme vetëm pasi Putini të largohet nga Ukraina”.
Kremlini, tha zoti Peskov, nuk mund ta pranonte këtë gjë, duke shtuar se ai që Moska e quan një operacion i posaçëm ushtarak, do të vazhdojë në Ukrainë.
Ukraina dhe Perëndimi thonë se presidenti Putin nuk ka asnjë justifikim për atë që ata e konsiderojnë si një luftë pushtuese të stilit perandorak. Kievi thotë se do të luftojë derisa ushtari i fundit rus të largohet nga territori i vendit.
/Argumentum.al