Konferenca e Sigurisë në Mynih (MSC) për herë të parë u zhvillua online. Presidenti i SHBA-së Joe Biden në fjalimin e tij theksoi rëndësinë e demokracisë, të cilën duhet të vazhdojmë ta mbrojmë.
Presidenti i SHBA-së Joe Biden theksoi në fjalimin e tij në takimin virtual të Konferencës së Sigurisë në Mynih, se demokracia „nuk krijohet rastësisht”. „Ne duhet ta mbrojmë, ta forcojmë, ta përtërimë atë. Ne duhet të dëshmojmë, që modeli ynë nuk është një relikë e historisë”. Demokracia është „rruga më e mirë, premtimi për të realizuar të ardhmen tonë”. “Nëse ne bashkëpunojmë me partnerët tanë demokratë, me forcën dhe besimin, atëherë e di, që ne mund të përballojmë çdo sfidë dhe të tejkalojmë çdo sfidues”, theksoi Biden, i cili iu drejtua një publiku europian për herë të parë qëkurse është në post.
Biden shprehu shqetësimin për kërcënimin mbarëbotëror të demokracisë nga përpjekjet autokratike. “Në shumë vende, ndër to edhe në Europë e në SHBA, procesi demokratik përballet me sulme. (…) Historianët do ta analizojnë këtë moement dhe do të shkruajnë për të. Eshtë një pikëkthese. Ai tha, se „beson fort, që demokracia duhet të triumfojë”.
Joe Biden në fjalimin online nga Shtëpia e Bardhë u shpreh qartazi për NATO-n. Ai e quajti partneritetin e SHBA-së me Europën si „shtyllën kryesore” të politikës së jashtme amerikane. “Amerika është kthyer”, tha Biden, “aleanca transatlantike është kthyer.” SHBA dhe Europa do të bashkëpunojnë ngushtë, për të përballuar së bashku sfidat globale. “Unë e di, që vitet e kaluara marrëdhëniet tona transatlantike u rënduan duke u vënë para një sprove. Por SHBA-ja është e vendosur të bashkëpunojë sërish me Europën.”
Një Europë e lirë, në mirëqenie e paqësore vazhdon të jetë interesi thelbësor i SHBA-së. Biden gjithashtu u shpreh qartazi për NATO-n. „SHBA-ja është plotësisht dhe tërësisht në alencën e NATO-s”, tha presidenti. Ai tha, që SHBA do t’u përgjigjet detyrimeve për mbështetje ushtarake.
Mollë sherri mbetet gazsjellësi Nord Stream 2
Joe Biden e di mirë, se çfarë pret Europa prej tij. Çështje mosmarrëveshjeje ka mjaft, sikurse është edhe tema e Nord Stream 2, por me këto presidenti i ri i SHBA-së nuk po merret tani për tani. Ai e ka të qartë, që Europa katër vjet me radhë ka pasur dyshime ndaj demokracisë së madhe amerikane. E ka të qartë që në raportet transatlantike duhet një ton më i përshtatshëm komunikimi. Biden i quan tani kancelaren gjermane dhe presidentin francez „miqtë e mi” dhe u drejtohet atyre me emër. Apeli i tij për rigjallërimin e demokracisë duket i sinqertë. Më shumë nuk mund të pritet pas fare pak javësh të Bidenit në post. Problemet trajtohen më vonë.
Në periudhën e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë përkrah presidentit Barack Obama, në vitet 2008 deri më 2016, Joe Biden si nënpresident ka qenë tri herë në Mynih. Edhe më 2019, gjatë kohës së vështirë nën Donald Trumpin. Atëherë Biden iu drejtua europianëve: „Ne do të kthehemi, së shpejti.” Tani ai ia doli kësaj, edhe pse në mënyrë virtuale.
Angela Merkel me një qendrim serioz, si gjithmonë pa emocione dhe e kthjellët, tërhoqi vëmendjen për çështjet e hapura, që duhet të zgjidhin së bashku SHBA-ja dhe Europa. U bë e qartë, se sa shumë probleme as që janë trajtuar në katër vitet me Donald Trump : Afganistani, Siria, Libia, Ukraina, e në radhë të parë grindja me Iranin: “Unë shpresoj, ne do t’i japim edhe një shans marrëveshjes atomike”, tha Merkel. E mbi të gjitha temat qendron pandemia.
Merkel: Të shtyhet misioni në Afganistan
Kancelarja gjermane premtoi parimisht zgjatjen e mandatit të Bundesëehr-it në Afganistan. “Gjermania është e gatshme të qendrojë edhe më gjatë në Afganistan”, theksoi Merkel. Kusht është, që ky angazhim „t’i shërbejë misionit të suksseshëm dhe që të na sjellë ne një pozicion, që vërtetë të mund t’u japë një shans forcave demokratike paqedashëse në Afganistan”, tha Merkel. “Tërheqja nuk duhet të përfundojë në atë mënyrë, që atje të fitojnë epërsi forcat e gabuara.”
Duke iu referuar pandemisë së koronavirusit dhe ndryshimit të klimës, po ashtu edhe të tjera kërcënimeve, kancelarja us hpreh qartazi për njëbashkëpunim ndërkombëtar. Ajo lëvdoi njëkohësisht hapat e politikës së jashtme të qeverisë së re të SHBA-së duke i quajtur ato si „hapa të rëndësishme për më shumë bashkëpunim multilateral”. Një rol qendror luan këtu një bashkëpunim më i ngushtë transatlantik, nënvizooi Merkel. Gjermania do të vazhdojë angazhimin e vet ndërkombëtar në të gjitha fushat.
Presidenti francez Emmanuel Macron së fundi i ka kushtuar kohë mendimeve për një përgjegjësi më të qartë të europianëve edhe për çështjet e sigurisë. Por gjatë fjalimit të tij në MSC nuk doli shumë qartë në pah se si e mendon ai këtë. Ndoshta kjo kishte të bënte edhe me praninë e presidentit të SHBA-së, që u bë e qartë, se siguria europiane është vështirë të përfytyrohet pa amerikanët.
Në fjalën e hapjes Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres u shpreh për një rivalitet në rritje mes SHBA-së dhe Kinës. “Ne nuk mund të përballojmë një të ardhme, në të cilën ekonomitë më të mëdha të botës të përçahen në dy kampe kundërshtare”, që ato të kenë përkatësisht valutën e tyre orientuese, rregullat e veta të tregtisë e financave si dhe të zhvillojnë pavarësisht njëra-tjetrës inteligjencën artificiale, tha Guterres. “Hendeku teknologjik dhe ekonomik kërcënon të shndërrohet në një hendek gjeostrategjik dhe ushtarak.”
Njëkohësisht Guterres bëri thirrje për një plan global vaksinimi për përballimin e pandemisë së koronavirusit. “Vaksinat duhet të jenë për të gjithë e kudo në dispozicion dhe me çmim të pranueshëm”, tha ai. Një shpërndarje e drejtë e vaksinave është „vendimtare për shpëtimin e jetëve të njerëzve dhe ekonomive kombëtare”. Guterres u ndal gjithashtu tek domosdoshmëria e forcimit të luftës ndaj krizës së klimës. Duhet të jetë prioritet për secilin vend që të pakësojë në zero deri më 2050 emetimet e gazrave që shkaktojnë efektin serë.
Në kontekstin e temës së klimës ishte pozitive, që pikërisht në kuadrin e konferencës MSC SHBA deklaroi, se sërish do të jetë pjesë e Marrëveshjes së Parisit për Klimën. Ish-presidenti Donald Trump u shkëput nga kjo marrëveshje ndërkomëbtare.
Themeluesi i Microsoft Bill Gates tërhoqi vëmendjen, që bota duhet të investojë shumë shpejt miliarda për përballimin e një pandemie tjetër, në mënyrë që të shmanget „një tragjedi e re” si kjo me koronavirusitn. Duhet të sigurohet, që „kjo të mos ndodhë më kurrë”, tha bashkëkryetari i Fondacionit Gates në fjalimin përmes videos në MSC. Sipas tij duhet të krijohen si kapacitete për prodhimin e vaksinave ashtu edhe ekipet e përhershme të rreth 3000 ekspertëve dhe studiuesve, që të mund të angazhohen menjëherë në rast të një pandemie për kufizimin e saj.
Pjesëmarrës të tjerë në MSC ishin kryeministri britanik Boris Johnson, Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, i ngarkuari i SHBA-së për klimën, John Kerry dhe Sekretari i Përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus./Dw