Presidenti Joe Biden do të takohet me presidentin kinez Xi Jinping të mërkurën për herë të parë prej një viti, sipas zyrtarëve të lartë të amerikanë.
Bisedimet kritike që synojnë zbutjen e tensioneve mes dy superfuqive dhe që do të mbahen në San Francisko ku dy udhëheqësit do të marrin pjesë në takimin e nivelit të lartë të forumit për Bashkëpunimin Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), mund të zgjasin me orë të tëra dhe të përfshijnë ekipe zyrtarësh nga Pekini dhe Uashingtoni.
Në qendër të takimit pritet të jenë çështjet globale nga lufta Izrael-Hamas deri te agresioni rus ndaj Ukrainës, lidhjet e Koresë së Veriut me Rusinë, Tajvani, Indo-Paqësori, të drejtat e njeriut, problemi i fentanilit, inteligjenca artificiale, si edhe marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike, thanë zyrtarët.
“Asnjë temë nuk do të mbetet pa trajtuar”, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i administratës së zotit Biden, i cili foli në kushtet e anonimitetit. “Ne kemi qenë të qartë për këtë. E dimë se përpjekjet prej disa dekadash për reformimin e Kinës kanë dështuar. Por Kina është një lojtar i rëndësishëm në skenën botërore”, tha ai.
Zyrtarët amerikanë që kanë bërë përpjekje për realizimin e këtij për pothuajse një vit, besojnë se Pekini ka punuar në mënyrë aktive për të minuar politikën e SHBA-së në gjithë botën.
Presidentët Biden dhe Xi do të flasin për herë të parë që nga nëntori i vitit 2022. Ekipi i Shtëpisë së Bardhë ndërmori një fushatë diplomatike për riparimin e marrëdhënieve të tensionuara pasi presidenti Biden urdhëroi rrëzimin e një balone kineze që përshkoi hapësirën ajore të Shteteve të Bashkuara në shkurt.
Një nga rezultatet kryesore të kësaj fushate pritet të jetë shtimi i aktivitetit diplomatik, angazhimet për intensifikimin e dialogut për çështje kyçe, përfshirë klimën, shëndetin global, stabilitetin ekonomik, përpjekjet kundër narkotikëve dhe rigjallërimin e mundshëm të kanaleve ushtarake pas një ngrirjeje të nivelit të lartë në këtë drejtim.
Të dyja palët ka gjasa të shfaqin gjeste modeste të vullnetit të mirë për të lehtësuar bisedimet, sipas dy personave të tjerë të informuar mbi diskutimet.
Por do të jetë e vështirë të shënohet përparim i konsiderueshëm.Të dyja vendet e shohin veten gjithnjë e më shumë si antagonistë në një konkurrencë të drejtpërdrejtë për të siguruar avantazh ushtarak, për të pasur epërsi në ekonominë e shekullit të 21-të dhe për të siguruar aleancat e vendeve të tjera, thonë zyrtarët amerikanë dhe kinezë.
Përpjekjet për një organizim të kujdesshëm të vizitës së zotit Xi mund të hasin pengesa në qytetin e Kalifornisë, i cili ka një histori të gjatë protestash dhe aktivizmi të krahut të majtë.
Presidentët Biden dhe Xi njihen me njëri-tjetrin prej më shumë se një dekade dhe kanë pasur bisedime të gjata disa herë që nga inaugurimi i presidentit Biden në vitin 2021. Por ata vijnë në këtë takim me dyshime dhe pakënaqësi të ndërsjella ndaj njëri-tjetrit.
Mes temave të tjera të ndjeshme, zoti Biden pritet të trajtojë ato për përpjekjet kineze për ndërhyrje në zgjedhjet e huaja dhe statusin e qytetarëve amerikanë që Uashingtoni beson se janë të ndaluar pa të drejtë në Kinë.
Presidenti Biden, 80 vjeç, është në krye të një ekonomie që i ka tejkaluar pritshmëritë dhe është forcuar më shumë se ajo e vendeve të tjera të pasura pas pandemisë COVID-19.
Megjithëse mbështetja e tij mes votuesve është e ulët, ai po kërkon një mandat të dytë në detyrë mes shqetësimeve për stabilitetin e demokracisë në SHBA.
Megjithatë, zoti Biden ka arritur të bashkojë aleatët tradicionalë nga Evropa në Azi në mbështetje të Ukrainës përballë agresionit rus, megjithëse disa prej tyre kanë dallime në lidhje me konfliktin Izrael-Hamas.
Zoti Xi është bërë udhëheqësi më i fuqishëm kinez që nga Mao Ce Duni, pasi ka forcuar kontrollin mbi politikën, udhëheqësit e shtetit, median dhe ushtrinë dhe ka ndryshuar kushtetutën.
Kohët e fundit, sfidat e ndërlikuara ekonomike e kanë larguar vendin nga trajektorja e rritjes prej tre dekadash.
Presidenti Biden pritet t’i thotë zotit Xi se angazhimet e SHBA-së në Indo-Paqësor janë të pandryshuara. Kina ka shkaktuar shqetësime tek fqinjët e vet vitet e fundit me veprimet në ngushticën e Tajvanit, Detin e Kinës Jugore dhe Detin e Kinës Lindore.
Zoti Biden do të shprehë gjithashtu një angazhim konkret për sigurinë e Filipineve, tha një nga zyrtarët amerikanë.
Presidenti Biden pritet gjithashtu t’i kërkojë homologut të tij Xi që të ushtrojë ndikim tek Irani që të mos përpiqet të zgjerojë konfliktin në Lindjen e Mesme, thanë zyrtarët./Reuters