Realpolitik “ flash” Nr. 39
8 – 31 JANAR 2022
EKSKLUZIVISHT te ARGUMENTUM, pikat mbi “ i” për 4 ngjarjet kryesore vetëm me 1000 fjalë nga diplomati dhe analisti i njohur
Dr. Jorgji KOTE
1.Bie besueshmëria për Biden qysh në vitin e parë si President. Sondazhet tregojnë se popullariteti i tij ka rënë në 42 për qind, shifra historike më e ulët, përveç paraardhësit të tij Trump. Madje dhe brenda demokratëve, pëlqyeshmëria për Biden, nga 95 për qind në Mars ra në 76 për qindd. Fillimisht sondazhet ishin pozitive sepse Biden i mbajti premtimet elektorale. Tatëpjeta filloi në gjysmën e dytë të vitit; për shkak të lidershipit të dobët, në radhë të parë në menaxhimin e situatës me COVID – 19 që vazhdon “ të bëjë kërdinë”, acarimit të mëtejshëm të klimës politike të brendshme në vend të afrimit dhe pajtimit të premtuar, mosmiratimit të disa ligjeve themelore, etj. Ndikim tejet negativ pati tërheqja kaotike e trupave dhe përfundimi i pranisë së dështuar ushtarake në Afganistan. Ogur i keq ky, mbas në Nëntor në SHBA janë zgjedhjet e ndërmjetme për Kongresin dhe Senatin. Demokratët dhe Biden rrezikojnë të pësojnë humbje, duke i bërë kësisoj të zymta parashikimet për zgjedhjet presidenciale 2024. Gjithsesi, rëndësi vendimtare tani do të ketë qëndrimi amerikan ndaj Rusisë lidhur me konfliktin më të fundit në Ukrainë.
2.Fushë me dy porta! Më në fund, edhe Shkupi zyrtar e kuptoi se çbllokimin e vetos bullgare e ka në dorë dhe ky i fundit. Ndryshe, nëse vazhdohet të luhet në një fushë vetëm me portën bullgare, mos prisni çelje negociatash as më 36 të Gushtit! Më 18 Janar Kryeministri i ri bullgar Petkov vizitoi Shkupin dhe më 25 Janar të dy qeveritë u takuan dhe miratuan ngritjen e 5 grupeve të puës në të gjitha fushat. U ra dakord që brenda 6 muajve të jepen rezulatet e tratativave ndërmjet tyre. Por, nëse në këto fusha mund të arrihet konsensusi, tema më e vështirë mbetet ajo e gjuhës, historisë dhe identitetit maqedonas. Për vetë natyrën komplekse dhe delikate, me ndjeshmëri të jashtëzakonshme publike në të dy vendet. Asnjë fjalë dhe premtim nuk u bë për ndonjë konsensus të shpejtë për negociatat. Të dyja vendet dhe qeveritë e kanë tejet të vështirë të veprojnë në këto “ fusha të minuara” për shkak të koalicioneve tejet të brishta partiake, kundërshtimit të ashpër nga opozitat dhe forcat nacionaliste. Çështë më e keqja, pavarësisht retorikave boshe dhe ec e jakeve, fakt është se as Uashingtoni, Brukseli, Parisi, dhe Berlini nuk kanë në dorë të diktojnë vullnetin e tyre për këtë çështje ndaj Sofjes.
Ja pse qëndron parashikimi ynë se të paktën deri në Qershor nuk ka shans dhe gjasë për çeljen e negociatave. Ndaj, qeveria jonë duhet qysh tani të fillojë lobimin për të na ndarë maksimumi në Tetor ose Dhjetor nga Maqedonia e Veriut. E vështirë kjo, sepse shumë vende të BE-së nuk duan t’i çelin vetëm me ne. Me finesë diplomatike na tregojnë solidaritetin, kur dihet se secili vend vlerësohet sipas meritave individuale; të cilat jo të gjithë në BE janë të bindur se i kemi, edhe pse formalisht kushtet janë plotësuar. Kjo mund të jetë një “Jo” tipike e ngadaltë diplomatike!
- Fati i BE -së dhe Brukselit në Paris! Themi kështu sepse ndonëse BE-ja ka 27 vende, “ motori” i funksionimit të saj është boshti franko-gjerman. Por, nëse njeri prej tyre nuk funksionon, prishet gjithë ekuilibri. Po pse Franca sivjet? Sepse deri në Qershor ka kryesimin e BE-së në momente tejet të vështira gjeopolitike dhe të brendshme. Kryesorja, në Prill atje do të jenë zgjedhjet e reja presidenciale dhe në qershor ato legjislative. Deri tani gjasat flasin për mandatin e dytë të Macron. Ai do të ketë përballë dy kandidatë të fortë të ekstremit të djathtë me shumë pretendime: Marine Le Pen dhe Eric Zemmour. Të tjerët e sidomos nga e Majta janë “garniturë” Fitorja e Macron do të jetë dhe fitore për BE-në, edhe pse ai do të kërkojë reforma rrënjësore për një BE më fleksibël. Por, nëse fiton njeri prej dy nacionalistëve, BE-ja do të ndryshojë katërcipërisht në formë dhe format. Sepse Marine Le Pen e karakterizon BE-në” si kombinimin e të këqiave më të mëdha të socializmit dhe të liberalizmit.” Ja pse, fati i Brukselit dhe i BE- së do të vendoset në Prill në Paris.
- Ora e të vërtetës! Tani gjithë bota është me sy nga Moska dhe Uashingtoni. Pritet vendimi i Putinit mbas përgjigjeve të Uashingtonit lidhur me kërkesat e njohura të Rusisë. Aleanca ndodhet në një situatë më të vështirë se 30 vite më parë, politikisht dhe ushtarakisht. Vetë SHBA-ja mes konfrontimesh, rënie të ndjeshme të besueshmërisë te demokracia dhe Presidenti Biden. NATO është e përçarë, dhe në disa vende të saj janë përshkallëzuar forcat populiste dhe ekstremiste që kërkojën pushtet. Pasiviteti në Libi, Siri dhe gjetkë e sidomos tërheqja kaotike nga Afganistani e dëmtuan ndjeshëm imazhin e SHBA-ve dhe të BE-së. Ndërkohë që Rusia i ka rritur stekat e veta politike dhe ushtarake. Nëse jo përcaktuese në marrëdhëniet ndërkombëtare, tejet e rrezikshme kur vjen puna te siguria europiane. Kryesorja, ndryshe nga 30 vite më parë, ajo tashmë është bashkë me Kinën, duke përbërë një sfidë herkuliane për Perëndimin në çdo drejtim. Tashmë ajo kërkon të jetë e barabartë me SHBA-ë, duke injoruar BE-në; madje, kërkon rishikimin e arkitekturës së sigurimit europian. Në këto kushte, vendosmëria e Aleancës është për tu përshëndetur. Por sa efektive do të jetë ajo në rastin e një sulmi ushtarak rus, kjo mbetet për t’u parë. Sepse dhe vendosja e sanksioneve nuk mund të merret si e mirëqenë; ca më tepër që dhe brenda Aleancës ka vende që janë kundër tyre. Kanë një të drejtë, sepse sanksionet e deritanishme nuk kanë qenë produktive. Kur vjen puna për forcën ushtarake që është vendimtare, ajo sërish mbetet për t’u parë. Ajo çka Perëndimi mund të bëjë me siguri më mirë është diplomacia dhe dialogu me Rusinë, krahas përgatitijve ushtarake. Diplomaci nuk do të thotë kapitullim, përkundrazi. Por ama ajo nuk bëhet me hartime, recitime dhe pohime standard bajate. Por, me fantazi dhe aftësi krijuese, sipas modelit të Diplomacisë se Ping Ppongut 50 vite më parë të Kissingerit emblematik. Se po erdhi puna te lufta, siç thoshte Churçilli “atje askush nuk e ka më vehten në dorë”.
© 2022 Argumentum