Në komunikimin e përdithshëm me publikun, Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik bëri me dije se numri i të infektuarve me COVID-19 në vendin tonë ka shkuar kështu në 798.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 171 persona të dyshuar me COVID-19 nga veriu në jug dhe vetëm në tre bashki kemi të prekur, ku përkatësisht në Tiranë kemi 5 persona që kanë rezultuar positive, 1 rast në Krujë dhe 1 rast i importuar në Kukës i evidentuar në qëndrën karantinë të këtij rajoni.
Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 789 qytetarë. Prej tyre janë 519 të shëruar.
Duke parë të dhënat, momentalisht situata epidemiologjike në vendin tonë paraqitet e qëndrueshme.
Kalimi i zonave aktive në zona jo aktive për COVID19 ka zhgjeruar hartën e të shëruarve në gjithë vendin.
Aktualisht në vendin tonë janë 239 pacientë aktivë me COVID19 dhe pjesa më e madhe prej tyre po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 31 pacientë (11.4%) dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive.
Ky është nje tregues i rëndësishëm që evidentoi faktin që masat e marra kanë bërë të mundur që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet dhe të përballojë me sukses rastet të cilat kanë pasur nevojë për trajtim të specializuar në spitale.
Deri tani 31 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor”, tha znj. Tomini.