Ekskluzivisht për ARGUMENTUM
Nga Marjana DODA
Lideri socialdemokrat Zoran Zaev ka firmosur dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, duke i hapur kështu rrugë krijimit të qeverise teknike. Ndërsa menjëherë pas kësaj Parlamenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut votoi me 101 vota “pro”, asnjë “kundër” dhe asnjë “abstenim” qeverinë e re teknike të drejtuar nga ish-ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.
Maqedonia e Veriut shkon sërish në zgjedhje vetem pas 2 vitesh nga kriza më e madhe politike që kaloi ky vend, ku parlamenti u përfshi nga dhuna e paprecedent.
Kësaj radhe shak u bë vetë BE. Pas vendimit të KE-së për mos hapjen e negociatave, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev deklaroi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Duke parë zhvillimet që ndodhën dhe pas konsultave që kam zhvilluar zgjidhja më e mirë dhe për të mos humbur kohë janë zgjedhjet e parakohshme”, deklaroi Zaev
Kujtojmë se Greqia dhe Maqedonia e Veriut përmbyllen një marrëveshjeje historike duke i dhënë kështu fund një konflikti 30-vjeçarë mbi përdorimin e emrit “Maqedonia” .Emër që Athina konsideron se nënkupton pretendime territoriale mbi provincën greke me të njëjtin emër dhe trashëgiminë e saj të lashtë të Aleksandrit të Madh.
Marrëveshja e Prespës e nënshkruar në Korrik 2018, ishte një garanci për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Europë , dhe premtimi i parë ishte anëtarësimi në NATO dhe hapja e Negociatave . Pavarësisht kundërshtive nga opozita maqedonase por dhe nga vetë populli maqedonas që nuk mund të hiqnin dorë nga Dielli “Verginas”, Kryeministri Zoran Zaev u zotua se do tu garantojë një yll në familjen e madhe europiane …një yll që ende nuk po shëndrit për Maqedoninë e Veriut.
Zaev i bindur në suksesin e kësaj marrëveshje dhe premtimin që i ishte bërë , doli para popullit dhe la si garanci postin e tij në rast të dështimit të hapjes së negociatave.
Sot qeveria Zaev ka rënë . Zaev dha doreheqjen duke mbajtur kështu zotimin e tij përballë popullit maqedonas .“Brukseli na bëri padrejtësi, ne kemi kryer të gjitha obligimet. Ata nuk e mbajtën fjalën dhe nuk dhanë datë. Ky është një gabim historik i Evropës. Ky është një vendim i Evropës dhe problemeve të tyre të brendshme. Ne jemi përgjegjës dhe kjo kërkon nga ne vendim serioz, secili politikan duhet të jetë përgjegjës, dal me përgjegjësi para qytetarëve. Për këtë marr përgjegjësi, organizojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare, tha Zaev.
Por a e ka permbushur më të vertetë Zoran Zaev obligimin e tij para popullit maqedonas? Çfarë të ardhme e pret Marrëveshjen e Prespës pas dështimit në hapjen e negociatave dhe rënies së qeverisë Zaev ?
“A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”
Kjo ishte pyetja në referendumin në Maqedoni për marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit. Nje pyetje sugjestionuese që detyroi qytetaret maqedonas të zgjidhnin integrimin e vendit në Bashkimin Europian në këmbim të ndryshimit të emrit. Nje akt i paprecedent por që u përshendet nga të gjitha kancelaritë botërore, duke i garantuar këtij vendi të vogël por me një histori të madhe që nuk ishin vetëm .
Por në fakt ajo (Maqedonia) u braktis së pari nga “kumbaret” e kësaj marrëveshjeje, pra nga vetë familja e madhe Europiane .
Rikthejmë në vemendje faktin se vetë Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev paralajmëroi pas vendimit të BE-së për mosdhënien e datës për fillimin e negociatave rrezikon zbatimin e Marrëveshjes së Prespës sepse, siç tha ai, të dy proceset janë të ndërlidhura. “Disa kapituj do të ngrihen sepse ato nuk mund të zbatohen. Ne do të përpiqemi t’i zbatojmë, por ato janë të lidhura njëra me tjetrën”, pohoi Zaev.
“Ka një lidhje mes zbatimit të marrëveshjes dhe fondeve në rastin e hapjes së negociatave. Ekziston një lidhje sepse miqtë tanë grekë kanë pranuar që të bënim këtë marrëveshje për shkak të së ardhmes që Maqedonia e Veriut ka në Bashkimin Europian. Por, në të kundërt Marrëveshja e Prespës nuk mund të realizohet. Një pjesë e saj do të pezullohet sepse nuk mund të implementohet. Ne do të përpiqemi të implementojmë disa dispozita të caktuara, por procesi është i ndërlidhur nga të dyja palët sepse shkëmbimi i fondeve do të thotë që ne t’i dorëzojmë Bashkimit Europian sovranitetin tonë kombëtar”, u shpreh Kryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Madje dhe vetë Qeveria e Kyriakos Mitsotakis në Greqi, e njohur për kundërshtimin e fortë të Marrëveshjes së Prespës në vitin 2018, tani është tërhequr nga kundërshtimi i saj duke thënë se dëshiron të shohë zbatimin e saj të plotë. “Kjo është një marrëveshje e keqe, por ne nuk mund të ndryshojë atë.” Kështu, Greqia mbështet aspiratat e BE-së për Maqedoninë e Veriut, me kusht që Shkupi ta respektojë plotësisht Marrëveshjen.
Kryeministri, Zaev i cili gjatë gjithë kohës ka mbrojtur marrëveshjen duke theksuar se më të mbrohen interesat kombëtare e shtetërore, përvçse të jape dorëheqje tani duhet të japë llogari para popullit të tij për të ardhmen e vendit.
Çfarë fitoi Maqedonia e Veriut me marrëveshjen e Prespës? Sot Maqedonia ka humbur identitetin e saj (emrin), dhe e lënë pas dyerve të Europës, po rrezikon ekzistencen e saj edhe nga fqinjë të tjerë siç është rasti i Bullgarisë e cila çdo ditë e më shumë konteston gjuhen dhe kulturen maqedonase .
I vetmi vend i fituar këtu është Greqia .
/argumentum.al/
© Argumentum