Rusia vendosi veton ndaj një rezolute të paraqitur nga SHBA dhe Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku kërkohet që Moska të ndalonte menjëherë agresionin e saj kundër Ukrainës dhe të tërhiqte të gjitha trupat e saj ushtarake.
11 nga 15 shtetet anëtare të Këshillit të sigurimit votuan pro tekstit, Kina, India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe abstenuan ndërsa Rusia si anëtare e përhershme e këtij forumi votoi kundër.
Megjithatë, përpjekjet diplomatike nuk do të ndalen. Rezoluta do të kalojë edhe në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, por votimi aty nuk është detyrues.
Ambasadori rus Vasily Nebenzya tha se ai nuk do t’u përgjigjej atyre që e kishin akuzuar për keqpërdorim të të drejtës së vetos së vendit të tij.
Ambasadori i Ukrainës i kërkoi Këshillit të kushtojë një moment heshtjeje “për paqe… dhe të lutet për shpirtrat e atyre që tashmë janë vrarë ose mund të vriten”, duke ftuar ambasadorin rus të “lutet për shpëtim”.
Ambasadori pohoi se ndërsa Ukraina mbetet e hapur për negociata, ishte Rusia ajo që kishte nisur një ofensivë që kishte dërguar “mijëra trupa” në territorin e saj.
Një votë ‘jo’ nga ndonjë prej pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit bllokon çdo project rezolute.
Anëtarët e përhershëm janë: Kina, Franca, Federata Ruse, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Përpjekja e fundit e Këshillit të Sigurimit për t’i dhënë fund krizës së Ukrainës mbyll një javë aktivitet në Kombet e Bashkuara duke kërkuar një zgjidhje diplomatike për veprimet ushtarake ruse në Ukrainë.
Duke folur me gazetarët pas mbledhjes, Sekretari i Përgjithshëm António Guterres, theksoi se ndërsa Kombet e Bashkuara nuk e kishin arritur dot objektivin e tyre parësor për t’i dhënë fund luftës, ata që janë kundër luftës në Ukrainë nuk duhet të dorëzohen kurrë në përpjekjet që t’i japin paqes një tjetër shans.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka reagoi pas rrëzimit në KS të OKB, të rezolutës së bashkëhartuar nga Shqipëria dhe SHBA për agresionin në Ukrainë.
“Rusia mbeti e vetme dje në vendosjen e vetos ndaj rezolutës së bashkëhartuar nga SHBA dhe Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të OKB, e cila bën thirrje për t’i dhënë fund agresionit kundër Ukrainës. Kjo që Rusia po bën është e paligjshme, është një sulm ndaj ligjit ndërkombëtar dhe rendit të bazuar në rregulla”, u shpreh Xhaçka.
“Ky sulm nuk mund të vazhdojë, ndaj le të qëndrojmë të gjithë së bashku përkrah Ukrainës”, theksoi ajo.