Kryeministri Edi Rama në konferencën e fundvitit, tha se viti 2023 ka qenë viti më i mirë për Shqipërinë në çdo aspekt.
Ai theksoi se ka pasur rritje në ekonomi, turizëm dhe investime të huaja. Mes tjerash ai nënvizoi se ka pasur rënie të papunësisë reale, dhe sot jemi me një papunësi që është me e ulëta e të gjitha viteve, 10.5%
“Ndihem më mirë se asnjë vit i mëparshëm, si rezultat i ecurisë së vitit që po mbyllim që ka qenë viti më i mirë për Shqipërinë në çdo aspekt. Viti më i mirë në aspektin ekonomik, në raport me vitet e shkuara, jo në raport me sa shumë ende duhet bërë në çdo drejtim në radhë të parë për rritjen e ekonomisë kombëtare dhe të ekonomisë së familjeve shqiptare. Viti më i mirë në aspektin e sigurisë, në aspektin e shërbimeve publike, investimeve publike dhe të investimeve të huaja.
Viti më i mirë në asketin e pozicionit ndërkombëtare të Shqipërisë. Ky vit do mbyllet me një rritje ekonomike që e tejkalon ndjeshëm çdo parashikim të bërë qoftë nga qeveria shqiptare dhe institucionet financiare. Në 9 mujorin e parë vetëm nga turizmi Shqipëria ka përfituar 3.2 mld euro të hyra, një shifër shumë e lartë dhe pa asnjë krahasim me vitet e mëparshme. Ka pasur rënie të papunësisë reale, dhe sot jemi me një papunësi që është me e ulëta e të gjitha viteve, 10.5%. Synimi është që vitin e ardhshëm të zbresim hap pas hapi nën 10%. Investimet e huaja mbi 1 mld euro, ose afro 60 mln euro mbi vitin e shkuar”, tha Rama.
Sali Berisha
Kryeministri Edi Rama nuk komentoi vendimin e GJKKO-së për dhënien e masës “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Në konferencën tradicionale të fundvitit i pyetur nga gazetarët, Rama theksoi se arrestimi i kujtdo nuk konsiderohet fitore për një forcë politike.
“Kurrë nuk është fitore e një partie arrestimi i dikujt të cilësdo parti. Kjo është në parim. Partitë fitojnë zgjedhjet për të çuar para vendin. Dhe partitë nuk janë organizata luftarake që funksionojnë për të eliminuar kundërshtarët, në një mënyrë apo tjetër. Nuk e shoh si një fitore të PS apo edhe të Erionit apo Taulantit që kanë bërë më këmbëngulje dhe pasion detyrën e tyre. Kjo është diçka që nuk ka lidhje fare me dëshirën, objektivin e nevojën për të parë si fitore faktin që cilido qoftë vihet nën trysninë dhe në masat e drejtësisë”, u shpreh Rama.
Ashtu sikundër, vijoi ai, nga ana tjetër nuk do të ketë drejtësi në Shqipëri deri kur të gjykohet 21 janari.
“Pa u gjykuar 21 janari dhe pa u vënë para drejtësisë vrasësit dhe urdhëruesit e tyre, që janë vrasësit e vërtet të 21 janarit drejtësia do të jetë e gjymtuar moralisht dhe e pamjaftueshëm sa i përket fuqisë së saj”, tha ai.
Për kryeministrin Rama, 21 janari dhe gjykimi i 21 janarit, do të vendosin një gurë të palëvizshëm për deri ku mund të shkojë ushtrimi i forcës represive të shtetit, si rezultat i abuzimit me të, nga persona të veshur me pushtet.
“Këtë e kam në parim. Për rastin konkret nuk kam asnjë koment”, theksoi ai.
Ballkani i Hapur
Kryeministri Edi Rama i pyetur nga gazetarët në konferencën e fundvitit thotë se Shqipëria nuk është tërhequr nga Ballkani i Hapur dhe se kjo nismë nuk është mbyllur. Kreu i qeverisë thotë se kjo nsimë e ka kryer misionin e saj, ndërsa si shembull që nuk është mbyllur tha se pak javë më parë në Beograd u mbajt paniri i verës, ku morën pjesë edhe prodhues shqiptarë.
A jeni tërhequr nga Ballkani i Hapur?
Rama: Nuk hapet dhe nuk mbyllet me një çelës dhe person nga njëra palë. Nuk kam thënë që kam mbyllur Ballkanin e hapur se është edhe si shprehje qesharake. Kam thënë diçka tjetër, që është thënë në një kontekst të caktuar. Kam thënë që e ka kriter misionin, por që nisma në vetvete është një nismë si të tjerat, që nuk hapet dhe mbyllet nga unë. Nëse panairi i verave në Beograd është produkt i asaj nisme u zhvillua para pak javësh dhe morën pjesë prodhues nga Shqipëria dhe gjithë Europa dhe disa morën medalje ari në panair.
Po Shqipëria është pjesë?
Rama: Është Shqipëria, se shqipja është shumë e pastër.
/Argumentum.al