Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj në një komunikim për mediat ka bërë sot bilancin e vitit 2023.
Rruga e vetme është zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, tha Zaçaj drejtuar ligjvënësve duke theksuar se nuk ka asnjë mënyrë tjetër sjellje nëse duam që institucionet e një shteti ligjor të udhëhiqen nga parimi i demokracisë.
“Ajo që dua të theksoj është që nëse mund ta jap si mesazh për politikën është se zbatimi i vendimeve të GJK është rruga e duhur, e nevojshme dhe e vetme”, u shpreh Zaçaj.
Interesi i medias ishte i madh për shumë vendimmarrje të Kushtetueses, nga vota e diasporës deri te mandati për Olta Xhaçkën, për të cilat Zaçaj tha se zbatimet e vendimeve të dhënga trupa e Gjykatës Kushtetuese janë detyrim ligjor.
“Të vësh në pikëpyetje zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, është e paimagjinueshme në një shtet ligjor”, tha Zaçaj.
Zaçaj ju përgjigj edhe interesit për çështjen Beleri, ku tha se nuk ka një kërkesë nga palët për përshpejtimin e kërkesës për zëvendësimin e masës së sigurisë.
“S’ka ardhur në proces, është duke u përgatitur, janë duke u marrë materialet”, vijoi Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.
Një përgjigje pati edhe për vendimin që i dha dritën jeshile marrëveshjes Rama-Meloni për emigrantët.
“Gjykata tha me bindje se shteti shqiptar vijon të ketë juridiksion. Thamë që përgjegjësia e shtetit shqiptar vazhdon të mbetet, nuk mohuam përgjegjësinë e shtetit shqiptar lidhur me këto zona, e pamë juridiksionin e shtetit italian në funksion të detyrimeve që ka shteti italian në bazë të se drejtës ndërkombëtare”, tha Zaçaj.
Sa i takon intimidimeve nga politika, kryetarja e Kushtetueses tha se kërkon kurajo të marrësh vendime që nuk janë popullore.
“Bëjmë përpjekjet për të funksionuar në mënyrë hermetike, do kurajo të japësh edhe vendime që nuk janë popullore”, u shpreh ajo.
Zaçaj u ndal edhe tek buxheti për Gjykatën Kushtetuese duke thënë se nuk është i mjaftueshëm.
“Gjykata ka bërë përpjekje të vazhdueshme për përmbushjen e objektivave me qëllim dhënien e një drejtësie funksionale. Në kushtet e një buxheti të panevojshëm gjykata mori nisma konkrete për përmirësimin, miratimin e rregullores për funksionimin e administratës, rregulloren për komunikimin e gjykatës me median dhe ridimensionimi i marrëdhëniet me të dhe publikun”, tha ajo.
Ndalur në bilancin për vitin 2023, Zaçaj theksoi se Kushtetuesja nuk ka stok dosjesh të prapambetura, si asnjë gjykatë tjetër në vend. Në 2023 Zaçaj tha se Gjykata kishte pati 367 kërkesa, u dhanë 353 vendime, ku 70 prej tyre ishin përfundimtare. Sipas saj në Kushtetuese gjatë vitit 2023 pati dyfishim kërkesash dhe vendimesh.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj ka folur në lidhje me marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët, së cilës më 29 janar Kushtetuesja i dha dritën jeshile.
Zaçaj tha se shteti shqiptar vijon të ketë juridiksion mbi këtë zonë.
“Vendimi është duke u punuar. Do i përmbahem deklaratës për shtyp. Gjykata tha me bindje se shteti shqiptar vijon të ketë juridiksion. Thamë që përgjegjësia e shtetit shqiptar vazhdon të mbetet, nuk mohuam përgjegjësinë e shtetit shqiptar lidhur me këto zona, e pamë juridiksionin e shtetit italian në funksion të detyrimeve që ka shteti italian në bazë të se drejtës ndërkombëtare. Ajo që ne thamë në kuptimin e juridiksionit të dyfishtë apo ekstraterritorial që lind, ne këtë e pranuam si një gjë faktike që ndodh, marrëveshja futet në hiearkinë e normave. Është e vendosur në një rang hierarkik nga vetë Kushtetuta. Konventa europiane e të drejtave të njeriut është në nivel kushtetues. Në këtë kuadër juridiksioni që vjen nga Kushtetuta, vijon të mbetet dhe nuk vihet në diskutim”, tha Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.
Vota e emigrantëve dhe mandati i Olta Xhaçkës, Zaçaj: Vendimi i GJK detyrim ligjor! Duhet të zbatohet nëse duam të kemi institucione demokratike
Kur ka kaluar më shumë se një vit nga afati 1 vjeçar i dhënë nga Gjykata Kushtetuese ndaj politikës për të garantuar votën e emigrantëve, kryetarja Holta Zaçaj tha se nuk kishte një mekanizëm ligjor për t’i detyruar palët politike ta zbatojnë një vendim të tillë pasi është detyrim ligjor dhe nuk mund të imagjinohej mos-zbatimi i tij. Zaçaj është pyetur sot në lidhje me vendimin e institucionit që ajo drejton për çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës.
“Të vësh në pikëpyetje zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, është e paimagjinueshme në një shtet ligjor. Duke patur formën e ligjit dhe duke mos patur asnjë ekuivok për të mos u zbatuar, gjykata Kushtetuese nuk ka mekanizma për të kontrolluar zbatueshmërinë e vendimeve.
“Ajo që dua të theksoj është që nëse mund ta jap si mesazh për politikën është se zbatimi i vendimeve të GJK është rruga e duhur, e nevojshme dhe e vetme, Nuk ka mënyrë tjetër sjellje nëse duam të jemi institucione të një shteti ligjor që udhëhiqet nga parimi i demokracisë.
Nuk ka një efekt të pritshëm ligjor sepse nuk është imagjinuar të ndodhë një gjë e tillë. Nuk ka mekanizma që mund të vihen në lëvizje në rast kur nuk zbatohet një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Vendimi i GJK është ligj dhe për këtë shkak nuk ka mekanizma”- u shpreh Zaçaj.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi Kuvendin për Xhaçkën dhe pranoi padinë e grupit të Alibeajt duke shpallur si antikushtetues vendimin e socialistëve për mos ta çuar në Kushtetuese legjitimitetin e mandatit të deputetes.