Ish presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton pritet të zhvillojë nesër një vizitë në Kosovë.
Vizita e ish kreut të Shtëpisë së Bardhë në Prishtinë përkon me 20 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO në Kosovë. Bill Clinton pritet të mbajë dhe një fjalim në ceremoninë e rastit për këtë ditë të shënuar të historisë së Kosovës së pavarur.
Në vitit 1999, ish presidentin Clinton dhe vendet kryesore të NATO morën vendimin për bombardimin e ish-Jugosllavisë.
Në ceremoninë për 20 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO në Kosovë pritet të marrin pjesë dhe shumë ish zyrtarë të huaj të asaj kohe.
Njoftimi i plotë:
Më 12 qershor 2019 Kosova shënon 20 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-së. Ne jemi duke shënuar këtë përvjetor historik të Kosovës bashkë me miqtë dhe aleatët tonë me të cilët ndajmë vlerat e paqes, lirisë dhe demokracisë. Njëkohësisht, ne po nderojmë të kaluarën tonë dhe vizionin tonë për paqe të qëndrueshme.
Ish- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, do t’i bashkëngjitet popullit të Kosovës në shënimin e 20 viteve të lirisë, dhe do të mbajë fjalim në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.
Data: E mërkurë, 12 Qershor 2019
Vendi: Sheshi “Skëndërbeu”
Koha: 11: 00
Ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në tubimin qendror, dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi për të falënderuar Presidentin Clinton për lidershipin e tij në ndërtimin e paqes në Kosovë dhe përkrahjen e tij të vazhdueshme për paqe dhe stabilitet në tërë rajonin.