Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin .
Detajet rreth bisedës Erdoğan-Putin i ka njoftuar nga llogaria e tij twitter shefi i Zyrës së Komunikimeve i Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun.
Gjatë bisedës, krahas marrëdhënieve dypalëshe janë diskutuar edhe zhvillimet e fundit në Idlib, ku presidenti Erdoğan ka theksuar se shkeljet e armëpushimit gjatë dy javëve të fundit nga ana e regjimit në Zonën e Pakësimit të Tensionit në Idlib kanë arritur përmasa alarmuese dhe se është e pashpjegueshme lufta kundër terrorizmit ndërkohë që krahas civilëve në shënjestër vendosen dhe shkatërrohen shkollat e spitalet.
Duke vënë në dukje se qëllimi i regjimit është të sabotojë bashkëpunimin turko-rus dhe të dëmtojë frymën e Astana-s, presidenti Erdoğan ka tërhequr vëmendjen se rritja e tensionit në Idlib sjell bashkë edhe dështimin për gjetjen e rrugës së drejtë të Komisionit Kushtetues dhe të procesit politik.
Ndër të tjera në bisedën ku të dy liderët konfirmuan angazhimin e tyre ndaj Marrëveshjes së Soçit, Erdoğan është shprehur se deri më sot janë arritur përparime të rëndësishme në Marrëveshjen e Soçit dhe se nga ana tjetër sulmet e përjetuara mund të dëmtojnë qëllimet e përbashkëta.
Po ashtu Erdoğan ka përmendur edhe krizën qeveritare të përjetuar së fundmi në Bosnje dhe Hercegovinë ku ai ka bërë të ditur se besojnë që bashkëpunimi i rajonit me organizatat ndërkombëtare është thelbësor për paqen dhe stabilitetin.