Pandemia e COVID-19 po përshpejton një tendencë ku Shqipëria kishte mbetur pas në raport me vendet e tjera, atë të rendjes pas teknologjisë së informacionit. “Pandemia e tregoi se bizneset e përshtatura me teknologjinë, jo vetëm mbijetuan, por edhe po krijojnë avantazhe të reja”, thotë Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karçanaj.
Kemi nevojë për investime në teknologji, thotë ajo, një trend që qeveria shqiptare e ka nisur prej vitesh në sektorin publik. Sot është më se e domosdoshme të aplikohen format e reja të “smart-working”, investimit në rrjete të mira dhe trajnimit të punonjësve, këshillon Karçanaj.
“Portali e-Albania ka mbajtur një peshë domethënëse në këta dy muaj të vështirë. Sot që flasim, kjo platformë është dritarja e vetme që mundëson plotësimin e nevojave për punën e bizneseve dhe dhënien e shërbimeve më të domosdoshme. e-Albania ka rregulluar ndjeshëm veprimtarinë e bizneseve në këto ditë, që nga leja për lëvizje pune, transportin e punonjësve, vërtetimet për hapje ose jo aktiviteti në këtë kohë pandemie”- tha ajo, ndërsa shpjegoi se jane dyfishuar shërbimet e tjera për biznesin, që nga marrja e certifikatave të thjeshta e deri te transaksionet financiare më të domosdoshme.
Sipas saj Qershori i vitit 2020 shënon fazën e dytë me 395 aplikime të shërbimeve publike që do të kalojnë online dhe faza e tretë do të jetë në dhjetor të vitit 2020, kur do të kemi 394 aplikime online të shërbimeve publike, të cilat në total përbëjnë mbi 90% të të gjitha shërbimeve publike.
Permes portalit e- albania bizneset mund të bëjnë pothuaj të gjithë pagesat në formë elektronike të tilla si; tarifat kombëtare, tatimin mbi të ardhurat personale, tatimfitimin, tatimin e thjeshtuar mbi fitimin, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, tarifat vendore etj. Krahas të gjithë këtyre shërbimeve, bizneset përfitojnë edhe nga efektshmëria e portalit. Në momentin që një biznes nis të plotësojë formularët, rreth 70% plotësohet automatikisht nga sistemi, sepse kemi integruar 53 regjistra elektronikë që shkëmbejnë të dhëna në kohë reale.
Ajo thekson se, pandemia e tregoi se bizneset e përshtatura me teknologjinë, jo vetëm mbijetuan, por edhe po krijojnë avantazhe të reja.
Ndërsa shtoi se, kemi nevojë për investime në teknologji, një trend që ka nisur prej vitesh në sektorin publik. Sot është më se e domosdoshme të aplikohen format e reja të “smart-working”, investimit në rrjete të mira dhe trajnimit të punonjësve.