Në kuadër të situatës së krijuar nga COVID-19, qeveria ka vendosur që bizneset e vogla të mos paguajnë tatimfitim për vitin 2020. Në aktin normativ të botuar në Fletoren Zyrtare, përcaktohet se për tatimpaguesit me qarkullim deri në 14 milionë lekë, këstet e parapagimeve të tatim-fitimit të vitit 2020 nuk do të paguhen. Ndërsa për tatimpaguesit me qarkullim mbi 14 milionë lekë, fashë ku përfshihen bizneset e mëdha, këstet e tatimit mbi fitimin për periudhat tatimore të tremujorit të dytë dhe të tretë, prill-qershor dhe korrik-shtator 2020, nuk do të parapaguhen.
Pagesat e këtyre kësteve shtyhen në periudhën prill-shtator 2021. Ky përjashtim nuk zbatohet për tatimpaguesit që zhvillojnë veprimtari ekonomike në fushën e veprimtarisë bankare, të telekomunikacionit, të tregtimit të produkteve farmaceutike, të produkteve ushqimore dhe frutaperimeve. Po ashtu, në aktin normative përcaktohet se këstet e tatimit mbi fitimin për periudhat tatimore prill-dhjetor 2020, për tatimpaguesit që zhvillojnë veprimtari ekonomike në fushën e turizmit e të përpunimit aktiv me material porositësi dhe call center nuk do të parapaguhen.