“Ajo çka kërkojnë investitorët në Shqipëri është: siguri ligjore, transparencë dhe një administratë mirëfunksionale, efektive dhe jo të korruptuar. Për fat të keq, shpesh investitorët gjermanë dhe të huaj, të cilët kanë tashmë përvojë në tregun shqiptar, kanë shprehur kohët e fundit dyshime serioze dhe shqetësime të shtuara në lidhje me një mjedis jo “fair” dhe solid në sektorin e ekonomisë në Shqipëri. Dëshiroj të inkurajoj të gjithë pjesëmarrësit, të rigjallërojnë entuziazmin e tyre, i cili u zgjua këtu në Tiranë në maj të vitit 2015 nga Kancelarja Federale, Angela Merkel gjatë hapjes së Konferencës Ekonomike Gjermano-Shqiptare”.
Kështu u shpreh ambasadorja gjermane, në Shqipëri, Susanne Schütz.
Kurse presidentja e DIHA-s, Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, Stephanie Sieg, përmendi faktin se Shqipëria ka hedhur hapa pozitivë në shumë drejtime, por ende mbetet shumë për t`u bërë.
Ajo theksoi se është momenti të tregohet veçanërisht kujdes në drejtim të përmirësimit të kushteve në vend, me qëllim që të frenohet vrulli i emigracionit që po përjeton vendi aktualisht.
Sipas Sieg, lufta kundër problemeve si korrupsioni, burokracia, papunësia, etj. (të cilat rrjedhimisht çojnë në rritjen e emigracionit), duhet të jetë prioritet i përbashkët i qeverisë, biznesit dhe të gjithë shoqërisë.