Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përgëzuar të dielën oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) të cilët kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve luftarak Bayraktar TB-2, të cilët tashmë i posedon Ushtria e Kosovës. Kryeministri qëndroi në Kazermën e FSK-së ku qëndrojnë dronët, derisa tha se “Kosova tash është edhe më e sigurt e gjithnjë krenare”, njofton RTK.
“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia. Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80 për qind numrin e ushtarëve dhe mbi 100 për qind buxhetin për ushtrinë. Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare!”, ka shkruar kryeministri Kurti në Facebook.
Në FSK, Kurti ka qëndruar bashkë me komandantin e FSK-së dhe ministrin e Mbrojtjes.
“Së bashku me komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj përgëzuam oficerët që e kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve”, ka shkruar Kurti.
/Argumentum.al