Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dënoi bombardimin e djeshëm rus të qytetit verior të Ukrainës, Chernihiv, duke e quajtur atë “një tjetër sulm të tmerrshëm kundër civilëve të pafajshëm”.
“Ne vajtojmë këtë humbje tragjike të jetës dhe zemrat tona janë për familjet e viktimave”, shkruan Blinken në një postim të publikuar në llogarinë e tij X, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë gjithmonë pranë popullit ukrainas” dhe se “Rusia duhet t’i japë fund luftës së saj brutale”.
Ambasadorja e SHBA-së në Ukrainë, Bridget Brink, tha se ishte “e tmerruar nga lajmi i sulmit gjatë ditës në qendrën historike të Chernihiv”.
”Burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm që shijojnë një të shtunë të këndshme nuk duhet të përfundojnë kurrë të vrarë ose të plagosur”, shkroi Brink në llogarinë e saj X.
/Argumentum.al