Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson se Shqipëria dhe Kosova kanë krijuar një treg të përbashkët të energjisë elektrike dhe se prodhimi i energjisë së rinovueshme është rritur.
“Shqipëria dhe Kosova kanë vendosur një treg të përbashkët të energjisë dhe energjia e rinovueshme është rritur fort. Vendet në rajon po diversifikohen dhe kanë nisur të marrin produktet e sakrificave të tyre”, u shpreh Sekretari i Shtetit, Antony Blinken u shpreh gjatë punimeve të mbledhjes së fundit të këshillit të përbashkët të energjisë i ngritur mes SHBA dhe BE që u mbajt këtë javë në Uashington.
Blinken theksoi se qëllimi thelbësor afatgjatë është përshpejtimi i tranzicionit të energjisë së pastër, në mënyrë që të mund të përmbushet objektivi i emetimeve zero dhe të parandalohet një katastrofë klimatike.
“Edhe kur adresojmë sfidat aktuale, ne jemi gjithashtu të fokusuar në qëllimin thelbësor afatgjatë të përshpejtimit të tranzicionit të energjisë së pastër, në mënyrë që të mund të përmbushim objektivat tona neto të emetimeve zero dhe të parandalojmë një katastrofë klimatike. Edhe këtu ne kemi punuar krah për krah, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa. Dhe ndoshta askund nuk mund të shohim fuqinë e bashkëpunimit të energjisë së pastër SHBA-BE më mirë se në Ballkanin Perëndimor. Për vite me radhë, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur përpjekjet për lidhjen e rrjeteve energjetike të Ballkanit Perëndimor me ato të Bashkimit Evropian, për të përshpejtuar tranzicionin larg qymyrit dhe lëndëve djegëse të tjera fosile. Në të njëjtën kohë, BE-ja ka ofruar grante dhe investime për të ndihmuar në zhvillimin e rrjeteve energjetike të Ballkanit Perëndimor, së fundmi edhe përmes Planit të Veprimit të Axhendës së Gjelbër. Ne kemi parë ndryshimin që kanë ndihmuar këto përpjekje. Shqipëria dhe Kosova kanë krijuar një treg të përbashkët të energjisë elektrike, prodhimi i energjisë së rinovueshme është rritur, vendet në të gjithë rajonin tani po diversifikojnë mënyrën se si e marrin energjinë e tyre. Pra, pavarësisht nëse është përballja me sfidën e menjëhershme të energjisë apo përshpejtimi i tranzicionit të energjisë së pastër, partneriteti mes nesh është kritik dhe ai bëhet gjithnjë e më i fortë. Mezi pres diskutimet sot se si mund të ndërtojmë mbi përparimin që kemi bërë dhe të eksplorojmë fusha të reja bashkëpunimi, në mënyrë që të mund të vazhdojmë të rrisim sigurinë kolektive dhe prosperitetin për të gjithë njerëzit tanë”, tha Blinken./ATA