Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony J. Blinken i ka dërguar një letër ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.
Në letrën e dorëzuar nga ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, Blinken shpreh mirënjohje për zemërgjerësinë dhe kurajën e treguar nga vendi ynë për strehimin e afganëve.
Po ashtu, Blinken shpreh vlerësim për kontributin e Shqipërisë gjatë operacioneve të NATO në Afganistan.
Blinken gjithashtu përgëzon Xhaçkën për ndërhyrjen në Ministerialin e NATO-s së 20 gushtit. “Ndërhyrja juaj në Ministerial për Afganistanin, e fuqishme”, thekson ndër të tjera Blinken.
Blinken thekson se kontributi i Shqipërisë, vërteton seriozitetin ndaj NATO-s duke angazhuar ndër vite 4 mijë trupa.
“Mirënjohës popullit shqiptar për kontributin e tij në sigurinë dhe prosperitetin e popullit afgan. Trupat shqiptare në Afganistan, kontribut për qëndrueshmërinë sigurinë për forcat tona dhe për popullin afgan”, thekson Blinken.
Blinken nënvizon se SHBA-ja vlerëson thellë marrëdhënien e ngushtë me Shqipërinë.
Blinken shprehet në letrën drejtuar Xhaçkës, besimplotë në vazhdimin e këtij partneriteti strategjik për avancimin e interesave të përbashkëta.
Letra e plotë që Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony J. Blinken i ka dërguar ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka
Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka
E dashur Zonja Ministre,
Në emër të Departamentit të Shtetit, dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen tonë më të thellë Republikës së Shqipërisë që ishte vendi i parë që ofroi një “parajsë të sigurt” për afganët e rrezikuar dhe për zemërgjerësinë e kurajën që kanë treguar njerëzit tuaj gjatë operacioneve të NATO-s në Afganistan. Në mënyrë të veçantë dëshiroj t’ju përgëzoj Juve për ndërhyrjen e fuqishme në Ministerialin e datës 20 gusht të takimit virtual të Ministrave të Jashtëm.
Shqipëria edhe një herë ka demonstruar përkushtimin e saj të fortë ndaj Aleancës së NATO-s duke kontribuar me kapacitete njerëzore dhe ushtarake për “Resolute Support Mission” në Afganistan, duke dislokuar më shumë se 4000 trupa ushtarake në Afganistan përgjatë operacioneve atje. Ju falënderoj për këto dislokime përkrah forcave tona dhe në veçanti për pesë dislokimet e përbashkëta me shtetin tuaj partner, Gardën Kombëtare të New Jersey. Investimi i Shqipërisë në sigurinë dhe prosperitetin e popullit afgan ka ndihmuar shumë në avancimin e synimeve tona të përbashkëta. Ndërkohë që evakuimi dhe zhvendosja e afganëve në rrezik vazhdon ende, ne po ashtu jemi mirënjohës për kontributin tuaj me personel në objektin e Bektel në Kosovë.
Trupat shqiptare ndihmuan në krijimin e një ambienti të qëndrueshëm dhe të sigurt për forcat tona si dhe për popullin afgan. Prania e tyre ka bërë të mundur që Aleanca e NATO-s të kryejë operacionet e saj, t’u mundësojë vajzave të reja ndjekjen e shkollës si dhe kanë bërë më të sigurt jetën e përditshme për shumë afganë. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë thellë marrëdhënien tonë të ngushtë me Shqipërinë dhe mbetemi besimplotë në vazhdimin e këtij partneriteti strategjik për avancimin e interesave tona të përbashkëta.
Sinqerisht,
Antony J. Blinken