Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u tha ligjvënësve amerikanë të martën se administrata Biden po i jep përparësi evakuimit të amerikanëve dhe afganëve që punojnë për Agjencinë Amerikane për Median Globale (pjesë e të cilës është edhe Zëri i Amerikës) dhe Fondacionin Kombëtar për Demokracinë në Afganistan. Përpjekja vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara shqyrtojnë mënyrat sesi të dërgojë miliona dollarë ndihma direkte për afganët dhe jo për qeverinë de fakto talebane. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Kongres, Katherine Gypson njofton.
Qeveria de facto e Afganistanit – talebanët – u paralajmëruan të martën nga ligjvënësit kryesorë amerikanë se ndaj tyre mund të vihen sanksione të tjera.
“Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara duhet të vazhdojnë sanksionet ekzistuese ndaj talebanëve. Shtetet e Bashkuara duhet të rivendosin ato sanksione që u hoqën gjatë procesit të negociatave. Dhe Shtetet e Bashkuara duhet të marrin në konsideratë masa të reja për të imponuar kosto më të larta për grupin dhe udhëheqësit e tij, duke siguruar që ndihma humanitare jetike për afganët të ndihmojnë ata që janë më të cenuar”, tha senatori demokrat Robert Menendez.
Në ditën e dytë të dëshmive në Kongres, ku u përball me pyetje të vështira në lidhje me strategjinë e administrates Biden për evakuimin kaotik në aeroportin e Kabulit muajin e kaluar, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u zotua se ndihma e re amerikane prej 64 milionë dollarësh do të shkojë drejtpërdrejt për njerëzit e Afganistanit dhe jo talebanët.
“Unë nuk dua ta zbukuroj këtë fakt, sepse e dimë se ndërsa talebanët kërkojnë dhe ndoshta do të mbështesin dhe mbrojnë ndihmën bazë humanitare përmes këtyre agjencive, si për ushqimin dhe ilaçet, kur bëhet fjalë për ndihmat për gratë dhe vajzat, mund të jetë ndryshe. Pra, ne do të jemi shumë të përqendruar dhe do të përpiqemi të sigurohemi që ajo ndihmë të shkojë drejtpërdrejt për to dhe të monitorohet në mënyrë efektive”, tha sekretari Blinken.
Por fati i mijëra afganëve që ndihmuan Shtetet e Bashkuara dhe të cilëve iu premtuan viza speciale për t’u larguar nga Afganistani – mbetet i pasigurt, me ligjvënësit në të dy anët e spektrit politik që thonë se administrata Biden ende nuk ka bërë sa duhet për të përshpejtuar procesin e aplikimit.
“Duke mos llogaritur ata që mbërritën para rënies së Kabulit, ju evakuuat 705 prej afro 20,000 aplikantëve kryesorë me viza speciale. Çfarë ndodhi me ata njerëz?”, pyeti senatori republikan Jim Risch.
Zyrtarët amerikanë thonë se janë ende duke punuar për të evakuuar amerikanët dhe afganët nga vendi, por republikani mëi lartë në Komisionin e Senatit për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjet Qeveritare thotë se numri i përgjithshëm i afganëve të rrezikuar të lënë pas është edhe më i madh nga sa pritej.
“Ne mendojmë se rreth 30,000 afganë të rrezikuar u evakuuan nga rreth 60,000. Këto janë shifrat që llogarisim ne, pasi nuk mund të marrim shifra të sakta nga administrata”, tha senatori Rob Portman.
Pas disa javëve shqetësim, sekretari Blinken premtoi se do t’i jepte përparësi evakuimit të afganëve që punuan për Agjencinë Amerikane për Median Globale, të cilët tani qëndrojnë të fshehur në Afganistan.
“Ka rreth 550 punonjës dhe anëtarë të familjeve nga Zëri i Amerikës, Radio Evropa e Lirë, Radio Liberty, të cilët nuk u evakuuan. A po i jep departamenti përparësi evakuimit të tyre? ” , pyeti senatori Chris Coons.
“Po”, u përgjigj sekretari Blinken.
SHBA dhe aleatët e tyre evakuuan 124,000 persona – kryesisht afganë – nga aeroporti i Kabulit, shumica e tyre nga 15 gushti e deri në fluturimin e fundit ushtarak amerikan nga Afganistani më 31 gusht./Voa