Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken në një bisedë telefonike me homologun e tij izraelit Gabi Ashkenazi u bëri thirrje palës izraelite dhe asaj palestineze që “të ulin tensionet dhe t‘i japin fund dhunës”.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price bëri një deklaratë me shkrim lidhur me bisedën telefonike të zhvilluar mes Blinken dhe Ashkenazi.
Sipas deklaratës, Blinken në bisedë ka shprehur shqetësimin e tij për shkak të “sulmeve me raketa ndaj Izraelit” si dhe ka shprehur ngushëllimet për ata që kanë humbur jetën në këto sulme. Ndërkohë ka tërhequr vëmendjen se Blinken nuk ka shprehur ngushëllime për palestinezët që kanë humbur jetën në sulmet e Izraelit.
Blinken dhe Ashkenazi diskutuan rrjedhën e dhunës në Xhaminë Al-Aksa si dhe situatën e fundit lidhur me shtëpitë e palestinezëve në Sheikh Jarrah.
“Sekretari Blinken, edhe njëherë u bën thirrje të gjitha palëve që të ulin tensionet dhe t‘i japin fund dhunës e cila u ka kushtuar jetën palestinezëve dhe izraelitëve përfshirë edhe fëmijët. Gjithashtu sekretari ka nënvizuar se izraelitët dhe palestinezët duhet të jetojnë në siguri, liri, prosperitet dhe demokraci të barabartë”, thuhet në deklaratë.
Ai edhe njëherë ka theksuar “mbështetjen e palëkundur të SHBA-së për Izraelin”.