15 tetori pritet të jetë një datë pozitive për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Agjencia amerikane e lajmeve, Bloomberg raporton se dy vendet do të çelin negociatat për anëtarësim me BE-në në bazë të një projekt-deklarate të ministrave europianë.
Shqipërisë dhe Maqedoninë së Veriut muajin e ardhshëm pritet t’u jepet drita jeshile për fillimin e negociatave me Bashkimin Europian.
Lajmin e konfirmojnë burime të medias amerikane, Bloomberg, të cilat kanë parë projekt-komunikatën që ministrat europianë do të konsultojnë më 15 tetor.
“Duke marrë parasysh progresin e arritur me reformat, BE vendos të hapë negociatat për anëtarësim me qeveritë e Tiranës dhe Shkupit,” njofton Bloomberg.
Sipas prestigjozes amerikane, një dokument i pak kohëve më parë nuk i rekomandonte negociatat, dhe sikundër në muajin qershor, shtetet më hezituese ndaj zgjerimit me Ballkanin mbeten Franca, Holanda, Gjermania dhe Danimarka.
Qeveritë perëndimore vijojnë të kenë dyshime për aftësitë shtetformuese të vendeve ballkanike, përkatësisht për kapacitetin e tyre për të garantuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar korrupsionin.
Kjo frikë është trashëguar prej vitit 2004 kur vende tanimë anëtare si Polonia, Hungaria dhe Rumania tregojnë të njëjtat brishtësi si më parë në respektimin e standardeve demokratike.
Bloomberg kujton se kundërshtitë e Francës, Holandës, Gjermanisë dhe Danimarkës bënë që dy vendet të mos e merrnin dritën jeshile në qershor. Edhe pse negociatat zgjasin për disa vite, e madje dhe dekada si në rastin e Turqisë, nisja e procesit do të ishte një fitore për qeverinë e Maqedonisë së Veriut, vijon më tej media amerikane.