Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, do të udhëtojë në Izrael në fundjavë për të biseduar rreth “sigurisë rajonale” me zyrtarët rusë dhe izraelitë.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Garrett Marquis, tha se Bolton do të takojë kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, ndërsa më pas do të zhvillojë bisedime me homologun e tij izraelit, Meir Ben-Shabbat, dhe atë rus, Nikolai Patrushev.
Takimet do të zhvillohen në kohën e tensioneve në rritje midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, sidomos pas rrëzimit të një droni amerikan nga Teherani, të enjten.
Teherani tha se droni ka fluturuar mbi territorin e tij, ndërsa Uashingtoni tha se ai ka qenë mbi ujërat ndërkombëtarë.
Në vazhdën e këtyre zhvillimeve, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka urdhëruar sulme ushtarake në Iran, porse më pas i ka anuluar ato nga “shqetësimet për viktimat”.