Vendi ynë është përfshirë nga reshje të dendura bore në zonat malore si dhe reshje shiu e shtrëngata në zonat e ulëta.
Instituti i Gjeoshkencavë bën me dije se sot dhe nesër reshjet e dëborës pritet të përfshijnë zonat Verilindore, Lindore dhe Juglindore të territorit.
Reshjet e dëborës të pasuara nga ulja e ndjeshme e temperaturave dhe ngricat mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi në transportin rrugor.
Sipas IGJEUM, sot pasdite priten reshje mesatare në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër të shoqëruara me shtrëngata. Në qarqet Lezhë dhe Durrës priten reshje lokalisht mesatare, ndërsa në pjesën tjetër të qarqeve priten reshje të dobëta.
Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve për momente të shkurtra mund të krijojnë probleme të ndryshme si dhe vërshime të ujit në zonat urbane në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Reshjet do të sjellin rritje të prurjeve në lumenjtë Ishëm dhe Shkumbin.
Në Veri, Lindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 300 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.
Nesër në juglindje reshjet priten të jenë në formën e dëborës, ndërsa në pjesën tjetër të territorit nuk priten reshje (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku informoi pasditen e sotme se strukturat janë në terren me të gjitha kapacitetet në terren për menaxhimin e situatës së krijuar si pasojë e përkeqësimit të motit.
Balluku theksoi se mbi 1500 punonjës të OSSH, në 12 rajonet e vendit, janë angazhuar për të siguruar furnizimin me energji elektrike.
“Prioritet janë padyshim objektet dhe institucionet e rëndësisë së veçantë. Ndërkohë, ARRSH ka mobilizuar të gjitha grupet e punës për të siguruar mbajtjen hapur të akseve rrugore dhe garantuar siguri në lëvizje. Ftojmë qytetarët të evitojnë lëvizjen e pa nevojshme, deri në normalizimin e situatës. Puna në terren po vijon në çdo zonë ku janë raportuar problematika”, u shpreh Balluku në rrjetet sociale.
Vendi u përfshi sot nga reshje intensive dëbore ndërsa në disa zona raportohet se dëbora ka arritur në 30 ceentimetra duke vështirësuar qarkullimin dhe furnizimin me energji.