Bojko Borisov, partia e të cilit (GERB) doli fituese në zgjedhjet e fundjavës njoftoi sot planet për një koalicion të bazuar në politikat që lidhen me anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO.
“Çështja më e rëndësishme e ditës ishte se kush është me Putinin dhe kush jo”, tha kryeministri Borisov duke iu referuar pushtimit rus të Ukrainës.
(GERB) doli fituese me 25% të votave, por do të duhet të kërkojë partnerë për të formuar një qeveri të re.
Deklarata e Borisov i drejtohej kryesisht partisë liberale (PP) të kryesuar nga Kiril Petkov, e cila doli e dyta në zgjedhje me 20,2% të votave dhe ndaj ambientalistes liberale konservatore, Bullgaria Demokratike (DB) me 7,4%. Petkov dha dorëheqjen si kryeministër në gusht pasi humbi një votë mosbesimi.
Të dyja këto parti kanë refuzuar formimin e një koalicioni me (GERB), duke përmendur akuzat për korrupsion që përfshinin Borisov dhe (GERB) që datojnë që nga koha e tij në detyrë deri në prill 2021.
Ndërsa rezultatet zyrtare nuk janë publikuar ende, në parlamentin e ri pritet të përfaqësohen gjithsej shtatë parti.
Borisov sugjeroi sot se krerët e partisë duhet të zhvillojnë bisedime me dyer të mbyllura për të arritur një gjuhë të përbashkët. Ai shtoi se nuk do të kërkonte post, as si kryeministër, as si ministër i kabinetit.
Bullgaria aktualisht qeveriset nga një kabinet i përkohshëm.