Bosnje-Hercegovina përkujton sot 29-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, ku më shumë se 8 000 civilëve u vranë në korrik të vitit 1995 nga forcat serbe.
Më 21 dhjetor 1991, serbët e Bosnjës shpallën republikën e tyre pasi votuan kundër pavarësisë nga Jugosllavia në një referendum.
Më 9 janar 1992, ata shpallën Republikën e Popullit Serb në Bosnje-Hercegovinë, por nuk e shpallën zyrtarisht pavarësinë.
Bosnje-Hercegovina shpalli zyrtarisht pavarësinë pas një referendumi të mbajtur më 29 shkurt dhe 1 mars 1992, me çka nisi lufta trevjeçare në vend.
Lufta zgjati deri më 14 dhjetor 1995 dhe më shumë se 100 000 njerëz u vranë dhe 2 milionë u detyruan të migrojnë.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së në pranverën e vitit 1993 e shpalli Srebrenicën “zonë të sigurt”.
Por, trupat serbe të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiç, i cili më vonë u shpall fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, pushtuan zonën e OKB-së dhe vranë mbi 8 000 djem dhe burra myslimanë të cilët ishin strehuar në “zonën e sigurt”.
Në varrezat e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës, Potoçari, u krye falja e xhenazes dhe varrimi i 14 viktimave të gjenocidit të kryer në verën e vitit 1995 në zonën e Srebrenicës, raporton Anadolu.
Mijëra njerëz mbërritën në Potoçari mëngjesin e sotëm, ku bënë nderimet e tyre për viktimat e gjenocidit të kryer kundër meshkujve boshnjakë në vitin 1995.
Namazin e xhenazes në Potoçari e udhëhoqi Husein ef. Kavazoviq, kreu i Bashkësisë Islame në Bosnje dhe Hercegovinë.
Pas faljes së xhenazes, familjarët, miqtë dhe fqinjët i bartën arkivolet në vendin e varrimit.
Viktima më e re që u varros në funeralin kolektiv këtë vit është 17-vjeçari Beriz Mujiq, i lindur në vitin 1978 në Zvornik. Eshtrat e tij u gjetën 28 vjet pas vdekjes, ato u zhvarrosën vetëm vitin e kaluar, në maj 2023. Ai u vra në korrik të vitit 1995 dhe u varros pranë vëllait të tij, Hazimit.
Viktima më e vjetër që u varros sot në është Hamed Saliq, i lindur në vitin 1927. Ishte 68 vjeç kur u zhduk në verën e vitit 1995 në zonën e Zhepës. Eshtrat e tij u zhvarrosën në maj 2014.
Këtë vit u varrosën gjithashtu edhe vëllezërit Hasib dhe Qamil Efendiq. Eshtrat e tyre u zhvarrosën nga varre të ndryshme në zonat në Srebrenicë, Kula dhe Potoçari në 2011 dhe 2006. Paqjen e fundit këtë vit e gjetën me vëllain e tretë Edhem, i cili u varros në Potoçari në vitin 2007.
Më 11 korrik të këtij viti në varrezat e Qendrës Memoriale në Srebrenicë, Potoçari, u varrosën: Hasib Efendiq, i lindur 1931, Qamil Efendiq, i lindur 1928, Mehmed Kërxhiq, i lindur 1961, Sabri Omiq, i lindur 1966, Mushan Shiljkoviq, i lindur 1956, Sakib Harbash, i lindur 1975, Beriz Mujiq, i lindur 1978, Ahmet Jashareviq, i lindur 1971, Nevres Salihoviq i lindur më 1970, Ibrahim Salkiq, i lindur 1935, Mid’hat Basiq, i lindur 1973, Hajdin Mustafiq, i lindur 1959, Latif Manxhiq, i lindur 1964 dhe Hamed Saliq, i lindur më 1927.
Qendra Memoriale e Tuzlës mban eshtrat e 11 viktimave të tjera të gjenocidit që deri më tani janë identifikuar nga ADN-ja, por familjet ende nuk kanë dhënë pëlqimin për varrim, kryesisht për shkak se trupat nuk janë të plotë.
Qendra Memoriale Potoçari u hap zyrtarisht më 20 shtator 2003 nga ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton. Deri më tani, 6.751 viktima të gjenocidit janë varrosur në këtë qendër përkujtimore, ndërsa 250 viktima janë varrosur në varrezat lokale me vendim të familjarëve të mbijetuar.
Viktimat vijnë nga komuna të ndryshme, shumica prej tyre nga zonat e Srebrenicës, Bratunacit, Vlasenicës, Zvornikut dhe Miliqit. Viktimat e gjenocidit janë gjetur në 150 lokacione të ndryshme, 77 prej të cilave janë varre masive. Viktima më e re e varrosur deri më tani në Potoçari është e porsalindura Fatima Muhiq, ndërsa më e vjetra është Shaha Izmirliq, e lindur në vitin 1901.
Më shumë se një mijë viktima të gjenocidit janë ende të zhdukur.
Në një çështje të dëgjuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) në Hagë, Holandë, komandanti serb Mlladiç u dënua me burgim të përjetshëm për shumë krime, përfshirë gjenocidin.
Dënimi u miratua në një seancë apeli më 8 qershor 2021.
Radovan Karaxhiç, lideri i serbëve të Bosnjës gjatë Luftës së Bosnjës, u dënua me 40 vjet burg për shumë krime, përfshirë gjenocidin e Srebrenicës, dhe më pas me burgim të përjetshëm në një rast apeli.
Në rastet e Srebrenicës të dëgjuara në ICTY, ish-zyrtarët serbë Ljubisha Beara dhe Vujadin Popoviç u dënuan gjithashtu me burgim të përjetshëm.
Në vendimin e saj në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e përshkroi atë që ndodhi në Srebrenicë dhe rrethinat e saj si një “gjenocid”, bazuar në provat nga ICTY.
Ish-presidenti serb Slobodan Millosheviç vdiq në burg ndërsa gjyqi i tij ishte në vazhdim.
Në rastet e Srebrenicës të dëgjuara në ICTY, Drago Nikoliç u dënua me 35 vjet burg, Radislav Krstiç me 35 vjet, Radivoje Miletiç me 19 vjet, Ljubomir Borovcanin me 17 vjet, Vidoje Blagojeviç me 15 vjet, Vinko Pandureviç me 13 vjet dhe Milano Gvero me pesë vjet.
Në një rast në Gjykatën e Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Trbiç u shpall fajtor për gjenocid dhe u dënua me 30 vjet burg për rolin e tij në vrasjen e afro 1 000 civilëve boshnjakë në korrik 1995.
Deri më sot, 45 serbë janë dënuar me gjithsej 699 vjet burg në rastet e dëgjuara në gjykata të ndryshme.
OKB-ja në fund të majit të këtij viti miratoi një rezolutë për të caktuar 11 korrikun si “Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë” me mbështetjen dërrmuese të Asamblesë së Përgjithshme.