Dy javë pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë, ka filluar të ndihen pasojat e këtij konflikti në ekonomi. Pritet një krizë e madhe ekonomike me rritjen e çmimeve dhe mungesën e produkteve bujqësore dhe derivateve të naftës.
Qeveria ukrainase do të ndalojë eksportet e mallrave kryesore bujqësore, duke përfshirë grurin, misrin, drithërat, kripën dhe mishin.
Sipas një rezolute të kabinetit që kaloi të martë, deri më tani është ndaluar eksporti i tërshërës, melit, sheqerit, kripës, grurit, mishit, si dhe bagëtia dhe nënproduktet e tij nga Ukraina.
Ministri i Politikës Agrare dhe Ushqimit të Ukrainës, Roman Leshchenko tha se kjo është bërë për të parandaluar një krizë humanitare në Ukrainë dhe për të përmbushur nevojat e popullatës për produkte ushqimore kritike.
Sipas të dhënave nga Komisioni Evropian, Ukraina është një nga furnizuesit më të mëdhenj në Evropë të prodhimeve bujqësore.
Gro Intelligence, një firmë analitike e të dhënave bujqësore ka thënë se Rusia dhe Ukraina janë përgjegjëse për pothuajse 30% të eksporteve globale të grurit.
Ndërsa në Ballkan, vendi i parë që ka filluar të ndaloje eksportet e mallrave kryesore është Serbia.
Serbia do të ndalojë eksportin e miellit, grurit, misrit dhe vajit të gatimit nga dita e nesërme.
Duke folur për situatën me drithërat, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha se eksportet e grurit dhe miellit janë rritur aq shumë sa autoritetet janë detyruar t’i ndalojnë ato.
Ai përsëriti se rezervat e mallrave dhe ato energjetike të Serbisë janë të siguruara dhe se nuk ka nevojë që qytetarët të krijojnë rezerva të ushqimit dhe derivateve të naftës.
Presidenti serb shtoi se Qeveria mund të lejojë eksporte në çdo kohë, por është e rëndësishme që së pari të sigurohet ushqim për qytetarët e Serbisë.
Vuçiç tha se kërkesa e vendeve tjera për eksport të lëndëve të para nga Serbia ka rritur çmimin e brendshëm, për këtë arsye edhe po ndalohet eksporti.
“Prandaj kemi miratuar një masë që ndalon eksportet. Për tre ditë eksportet tona të vajit ushqimor u rritën me 109 për qind. Të gjitha organet shtetërore monitoruan parametrat që të kontrollonim gjithçka. Nuk kemi pse të kërkojmë falje në kushte të tilla lufte. Ne kemi sasi të mjaftueshme të gjithçkaje – kripë, sheqer, vaj, miell, grurë dhe misër. Këto janë të gjitha nevojat themelore për një jetë normale”, tha Vuçiç.
Vuçiç tregoi më shumë për rezervat e shtetit të tij:
“Për momentin kemi 800 mijë ton grurë, kurse 1.5 milionë ton misër rezerva. Nevojat tona vjetore janë 1.2 milionë ton grurë. Do të kemi sa të doni”, siguroi qytetarët serbë Vuçiç.
Ai tha se ka pasur kërkesë për eksportin e një të katërtës së totalit të rezervave.
Vuçiç bëri me dije se eksportet e miellit, grurit, misrit dhe vajit të gatimit do të ndalohen që nga e enjtja, më 10 mars.
Ndërsa në Shqipëri qytetarët përgjatë tre ditëve të fundit janë përballur me një rritje çmimesh të paimagjinueshme të naftës, benzinës dhe miellit. Ende nuk kemi asnjë masë nga qeveria.
/Argumentum.al