Kuvendi ka nisur mocionin me debat mbi vendimin e Presidentit.
Në fjalën e tij, Erjon Braçe është treguar i ashpër me Presidentin e Republikës teksa tha se kreu i shtetit nuk e lexon Kushtetutën.
“Ta mbash në dorë Kushtetutën, të flasësh për atë, të pozosh në foto, të thuash gënjeshtra me pasion dhe forcë aq sa të dukesh si i ndershëm. Vetëm një gjë nuk e bën, të lexojë Kushtetutën” – tha zv. Kryeministri.
Ai lexoi disa pjesë të Kushtetutës ku e karakterizon Shqipërinë si Republikë Parlamentare.
“Vetëm kaq sikur të kishte lexuar Presidenti. E drejta për të zgjedhur me votë nuk mund të prezumohet nga askush pavarësisht ofiqit që ka. Krim më të madh sesa ky i Ilir Metës ndaj demokracisë nuk ka guxuar kush ta bëjë” – tha Braçe ndër të tjera.Zëvendëskryeministri deklaroi se precedenti i krijuar nga presidenti nuk duhet legjitimuar.
“Në vitin 2013 PS hyri në zgjedhje pasi e vranë dhe pasi e vodhën, pa pasur askënd në KQZ. Ne nuk jemi këta, nuk duam pushtet pa zgjedhje. 30 qershori nuk ndalet, kjo duhet të marrë fund”, tha Braçe.