Vota e britanikëve për daljen nga Bashkimi Europian e ka tashmë një faturë të dëmeve, pavarësisht se si mund të vijojë procesi i daljes nga BE (BREXIT). Disa prej dëmeve janë të prekshme si në punë, investime e në kapital. Kryeministrja britanike Theresa May synon të rinegociojë marrëveshjen e daljes me Bashkimin Europian pasi është refuzuar nga Parlamenti. Zyrtarët e Brukselit kanë paralajmëruar se as nuk do t’i konsiderojnë kërkesat e saj. Ndërkohë kërcënimi i një kaosi ekonomik ende qarkullon në vendin e saj. “Bloomberg” ka bërë një analizë të impaktit të deritanishëm të BREXIT:
Impakti në financa
Distrikti ekonomik i Londrës ka përjetuar një rrjedhje të parave dhe të vendeve të punës ndërsa kompanitë financiare më të mëdha në botë kane riorientuar hapat e tyre për të mbrojtur aktivitetin që kanë. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar rrotullohet rreth BREXIT, kompanitë e financës po transferojnë fondet. 5 nga bankat më të mëdha po transferojnë 750 miliardë euro asete në Frankurt. Atyre u është dashur që të lëvizin kapitalin që të marrin aprovimin e Bashkimit Europian për të vijuar ofrimin e shërbimeve në union. Edhe pse më pak banka nga sa parashikohej në fillim e kanë lënë Londrën, gjithsesi lëvizje janë duke u bërë. Bankat më të mëdha botërore kanë skicuar plane për të transferuar stafet e tyre në qytete si Parisi, Dublini apo Madridi. Këto lëvizje personeli duket se janë të pakthyeshme.
Impakti në ekonomi
Paundi britanik ka rënë më shumë se 10 % kundrejt euros qëkurse Britania votoi për lënien e Bashkimit Europian në vitin 2016. Eksportuesit mund të kenë përfituar por rritja e kostove të importeve dhe shërbimeve ka nxitur inflacionin. Efekti është rënia e fuqisë blerëse të konsumatorëve, duke ua bërë jetën të vështirë edhe shitësve. Bizneset gjithashtu kanë shtyrë planet e shpenzimeve si rrjedhojë e pasigurisë lidhur me mënyrën sesi do të dalë Britania nga BE. Edhe rritja ekonomike e vendit ka marrë një goditje. Një studim i publikuar në shtator të 2017 ka dalë në konkluzionin se referendumi për daljen nga BE i ka kushtuar Britanisë më shumë se 2 për qind të prodhimit. Dëmet mund të jetë afatgjata, me ekonominë që nuk parashikohet se do të kthehet në ritmet e rritjes ekonomike që kishte para referendumit, të paktën deri pas vitit 2020.
Impakti në industrinë farmaceutike
Ikja e Agjencisë Europiane të Barnave në Amsterdam ka “plagosur” industrinë britanike të farmaceutikës. Agjencia ka qenë në Londër për 22 vite. Kompanitë e ilaçeve kanë shpenzuar para për të transferuar laboratorët në Bashkimin Europian dhe për të ruajtur aftësinë e tregtimit përreth bllokut. Paratë, argumenton industria, mund të ishin shpenzuar për të zhvilluar trajtime të reja, EMA, që mundëson ilaçe për rreh 500 milion njerëz, ka ndaluar së dhëni punë rregullatorit britanik farmaceutik, me pasigurinë nëse dy organizatata do të vijojë bashkëpunimin edhe pas daljes së Britanisë nga BE-ja.
Impakti në aftësi
Emigracioni nga Bashkimi Europian drejt Britanisë ka rënë në nivelin më të ulët të 6 viteve. Kjo ka dëmtuar industrinë e hotelerisë, agrikulturën, ndërtimin dhe Shërbimin Kombëtar të Shëndetit. Të gjithë përballen me shkurtime në punë dhe janë bazuar tradicionalisht në punonjës nga BE-ja. Fotografia e emigracionit shqetëson bizneset. Shumë janë të shqetësuar lidhur me impaktin e lëvizjeve për arsye studimore, shkëmbimet ndërkulturore si dhe programet e mësimit me Bashkimin Europian. “Heriot-Watt University” në Edinburgh fajëson pjesërisht Brexit për shkurtimin e vendeve të punës në vitin 2017, ndërsa “Manchester University” ka përmendur pasiguritë që ka krijuar procesi i BREXIT në nevojën për të reduktuar kostot.
Impakti në media
Një seri mediash ndërkombëtare kanë lëvizur tashmë stafin dhe licencat e transmetimit jashtë Mbretërisë së Bashkuar, duke mos pritur për ndonjë rezolutë që trajton çështjen e mediave. “Discovery Inc.”, “Comcast Corp.’s” e “NBC Universal”, që aktualisht përdorin lejet britanike për të transmetuar në Europë, janë mes tyre. “Discovery” po i lëviz disa prej licencave që ka në Amsterdam ndërsa “NBC Universal” ka aplikuar tashmë për në Gjermani. Edhe BBC, transmetuesi kombëtar britanik i themeluar në vitin 1920, është në bisedime me rregullatorë irlandeze e gjermanë për të transferuar disa prej licencave në Bashkimin Europian për kanalet me tematikë tregtare.
Impakti në strehim
Brexit ka goditur gjithashtu edhe tregun e banesave. Indeks i çmimeve nga “Royal Institution of Chartered Surveyors”, në fund të 2018, ka rënë në nivelin më të dobët të 6 viteve.
Impakti në teknologji
Statusi i Britanisë si “hub” europian i preferuar për kompanitë teknologjike po zbehet. Grupet elektronike japoneze si “Sony Corp” dhe “Panasonic Corp”, “Chubb Ltd” dhe kompania e transferimit të parave “TransferWise” janë mes kompanive që kanë transferuar selitë e tyre qendrore në vendet e tjera të Europës.