Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian u pajtuan për shtyrjen e datës së Brexit-it, apo të daljes së Britanisë nga BE-ja, deri më 31 tetor.
Pas samitit në Bruksel, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, njoftoi në orët e para të së enjtes se May është pajtuar me kushtet e BE-së për shtyrje.
Tusk e përshkroi marrëveshjen si “shtyrje fleksibile”, duke thënë se ajo nënkupton “gjashtë muaj shtesë për Mbretërinë e Bashkuar, për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme”.
“Ju lutem, mos humbni kohë”, tha Tusk.
Konkluzionet e samitit të BE-së thonë se Britania “duhet të përmbahet nga çdo masë që i rrezikon projektet kyçe të BE-së”.
Ky kusht thuhet se synon të parandalojë Britaninë nga ushtrimi i fuqisë së vetos mbi iniciativat në Bruksel, gjatë periudhës shtesë për Brexit-in.
Udhëheqësit e BE-së planifikojnë të takohen sërish në qershor për të vlerësuar situatën.
Britania mund të largohet nga BE-ja para 31 tetorit, nëse May arrin të bindë shumicën në Parlamentin britanik që të mbështesë marrëveshjen për Brexit që ajo ka negociuar me BE-në, vitin e kaluar.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se Brexit-i pa marrëveshje do të ishte “një katastrofë totale” dhe se Brukseli do të bëjë gjithçka të mundur për të shmangur skenarin pa marrëveshje.
“Do të kemi Brexit me marrëveshje”, tha ai.
Samiti në Bruksel është thirrur në përpjekje për të parandaluar daljen e Britanisë nga BE-ja më 12 prill pa marrëveshje me bllokun, pasi Parlamenti britanik e ka refuzuar marrëveshjen e Mayt tri herë.
“Britania është dashur të largohet tashmë nga BE-ja dhe sinqerisht më vjen keq që nuk kam qenë ende në gjendje ta bind Parlamentin që ta miratojë marrëveshjen”, tha May.
May kërkoi shtyrje të afatit deri më 30 qershor, për të provuar ndërtimin e mbështetjes për marrëveshjen e saj.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e mbështeti shtyrjen deri më 30 qershor dhe kundërshtoi përpjekjet nga Gjermania dhe vendet e tjera të BE-së për të ofruar shtyrje për një vjet.
Kjo çoi në ofertën e kompromisit për Britaninë më 31 tetor, e cila u mbështet në mënyrë unanime nga të 27 shtetet e tjera të BE-së.
Britania ka vendosur për largimin nga BE-ja në një referendum të mbajtur në vitin 2016.
Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit-i pa marrëveshje do të shkaktonte kaos ekonomik në Britani, por edhe në BE.