Ish-Kryetari i Komunitetit Mysliman në Shqipëri, Dr. Skënder Bruçaj, thotë se është për të ardhur keq që Xhamia e Et’hem Beut u përdor për axhendën politike të një shteti të huaj, duke iu referuar përurimit të saj gjatë vizitës së Presidentit turk Recep Tayyp Erdogan.
Zoti Bruçaj tha për Zërin e Amerikës se fakti që nuk ishin ftuar përfaqësues nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ishte “një akt i shëmtuar”. Ai shtoi se autonomia e xhamisë shqiptare duhet të jetë pjesë e strategjisë kombëtare të shtetit shqiptar. Zoti Bruçaj, që ndodhet në Shtetet e Bashkuara në kuadër të programit prestigjioz Fullbright, i bëri komentet në një intervistë me shefin e shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho.
“Me thënë të drejtën, çdo shqiptar është mirënjohës ndaj Turqisë për investimet që ka bërë në Shqipëri, që është gjendur pranë në kohë të vështira dhe ky është një fakt që askush nuk e mohon. Jemi mirënjohës për këtë. Fakti që në inaugurimin e Xhamisë së Et’hem Beut ishte prezent edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Turqisë dhe nuk kishte asnjë përfaqësues nga Komuniteti Mysliman (i Shqipërisë), normalisht që është një akt i shëmtuar. Unë them që është një turp i protokollit të shtetit shqiptar në radhë të parë. Unë e mendoj si të atillë. Por mendoj se më në vështirësi u ndje vetë Kryeministri i Shqipërisë, zoti Edi Rama. Imagjinojeni si një shtëpi, ku je i zoti i shtëpisë, dhe të vjen një mysafir që të ka ndihmuar. Ti do ta sajdisësh mirë, por ai ka shumë huqe dhe teka. Dhe ti e toleron, e menaxhon, dhe bën një sakrificë në mënyrë që mysafirin ta përcjellësh në këtë format. Por këtë radhë u zgjodh që sakrifica të bëhej në kurriz të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Por gjithsesi unë mendoj më mirë ka qenë që s’ka qenë prezent Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në atë lloj inaugurimi. Vetëm një inaugurim xhamie nuk mund të quhej. Më tepër ishte një miting politik i organizuar nga partia e Erdoganit. Mënyra, formati se si të ftuarit kishin ardhur nga Kosova, nga Maqedonia. Parrullat aty ishin nga e njëjta dorë. Është për të ardhur keq kur një simbolikë fetare, siç është inaugurimi i xhamisë, përdoret për axhendën politike të një shteti të huaj”, tha Z. Bruçaj
Bruçaj i tha Zërit të Amerikës se xhamia duhet të ishte përfunduar brenda dy viteve, duke shtuar se kjo nuk bëhet me fondet e qeverisë turke, por me ndihmën e vëllezërve myslimanë në Turqi.
“Fillimi i punimeve ka qenë në kohën kur unë isha ushtrues detyre i kryetarit të KMSH-së, gjatë një vizite në Turqi i thashë ish-kryetarit të Komunitetit Mysliman të Turqisë që të filloni punimet e xhamisë së Namazgjasë që kam kontribuar edhe unë për veten time. ”, tha ai.
Sipas tij, xhamia e Namazgjasë po ndërtohet jo me fondet e qeverisë turke, por me ndihmën e Vëllazërisë Myslimane Turke. Edhe xhamia duhej të përfundonte për dy vjet. Ka 7 vite që vazhdon dhe nuk mbaron.
“Unë besoj se kontrata mbaron këtë verë. Nëse nuk e mbyllin, KMSH-ja ka potencialin ta përfundojë. Xhamia është një objekt kulti, nuk mund të bëhet pjesë e një pazari politik, as e një strategjie kombëtare të një shteti i huaj sepse është objekt i lutjes së Zotit dhe më vjen keq që është bërë pjesë e këtyre polemikave”, tha Brucaj.