U nënshkrua sot në Bruksel, Dokumenti i Partneritetit me Bashkimin Europian, mes Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, dhe ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vëngu, në praninë e Kryeministrit Edi Rama.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe ai i Mbrojtjes, Pirro Vengu së bashku me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian Kaja Kallas nënshkruan sot në Bruksel marrëveshjen e Partneritetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, duke zyrtarizuar bashkëpunimin e zgjeruar në fusha të ndryshme të sigurisë dhe mbrojtjes.
Hasani theksoi në rrjetet sociale duke theksuar se partneriteti do të rrisë kapacitetet në siguri dhe mbrojtje.
“Ky partneritet strategjik do të forcojë përpjekjet tona për të luftuar kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmin dhe do të rrisë më tej aftësitë tona të sigurisë dhe mbrojtjes, duke kontribuar për një Evropë më të sigurt dhe më të qëndrueshme”, u shpreh Hasani.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu e cilësoi marrëveshjen impuls cilësor i ndërveprimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, në kuadër të rrugëtimit të pakthyeshëm të integrimit në BE.
“Tashmë do të kemi më shumë mundësi dhe instrumente europiane për fuqizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ndërkohë që jam i bindur se do të japim më të mirën dhe do të shtojmë vlerë në angazhimet operacionale të Bashkimit Europian”, u shpreh Vengu në rrjetet sociale.
* * *
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas: “I dashur Edi, te dashur ministra! Është një kënaqësi e veçantë të zhvillojmë këtë ceremoni nënshkrimi sot.
Eshtë vërtet e shkëlqyer të fillojmë këtë samit të Ballkanit Perëndimor me këtë ceremoni nënshkrimi.
Ne tashmë i kemi mbështetur forcat e armatosura të Shqipërisë drejtpërdrejt dhe të dyja palët tona dëshirojmë të bëjmë më shumë, kështu që kjo marrëveshje tregon se ne do të bëjmë më shumë së bashku.
Tregon qartë investim në sigurinë tonë të përbashkët. Tregon që Shqipëria do të jetë pjesë e të gjitha këtyre tavolinave të rëndësishme ku do të diskutojmë për sigurinë dhe mbrojtjen e Europës. Na lejon gjithashtu të zgjerojmë bashkëpunimin tonë, si në Europë, ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm në procesin e anëtarësimit. Jam e lumtur që do të diskutojmë këtë dhe më tej në takimet e ditës së sotme. Kështu që mirë se vini dhe mezi pres për bashkëpunimin tonë të ardhshëm.
Kryeministri Edi Rama: Është një ditë e gjatë dhe një ditë e rëndësishme për ne, sepse kemi Samitin vjetor me Bashkimin Europian. Ndërkohë, u zgjuam me një ndjesi të këndshme se tashmë kemi hapur një tjetër grupkapitujsh. Kështu që është një moment shumë i mirë, por para së gjithash, dua të shfrytëzoj këtë mundësi për t’ju uruar për këtë emërim dhe t’ju themi se ndihemi të privilegjuar sepse kemi kaluar një rrugë të gjatë dhe dini çfarë do të thotë të lindësh dhe të rritesh në një diktaturë, pastaj të luftosh për lirinë dhe më pas të luftosh për të ndërtuar demokracinë dhe zhvilluar shoqërinë.
Kjo marrëveshje është e rëndësishme sepse është një shenjë tjetër që lidhja jonë është e pandashme dhe që duhet të bëjmë më të mirën për ta forcuar çdo ditë e më shumë.
Dua të shpreh falënderimet e mia për Bashkimin Europian, për të gjithë ata, që në emër të Bashkimit Europian po punojnë për të shtyrë përpara këtë agjendë të ribashkimit të plotë të Europës.
Kështu që, faleminderit ju dhe faleminderit gjithashtu të gjithëve dhe faleminderit atyre që na pritën!
/Argumentum.al