Në Bruksel po zhvillohen deri më 27 shtator takimet në kuadër të procesit të shqyrtimit analitik të legjislacionit të Maqedonisë së Veriut.
Procesi i shqyrtimit analitik të legjislacionit të Maqedonisë së Veriut, i njohur si “screening” ka të bëjë me plotësimin e standardeve dhe të kërkesave që duhet të përmbushë Maqedonia e Veriut që të bëhet anëtare e BE-së. Procesi i shqyrtimit analitik të legjislacionit ka nisur me të ashtuquajturat “vlera themelore” të BE-së, që lidhen me sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, reformat në administratën publike dhe menaxhimin e financave publike.
Proces i gjatë
Ky është proces i gjatë dhe kërkon përfshirje nga të gjitha ministritë, deklaroi shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, Dejvid Gir, sepse fjala është për 33 kapituj për të cilët duhet të negociohet. Ambasadori Gir shtoi se deri tani “gjithçka po ecën pozitivisht”.
Procesi i shqyrtimit analitik të legjislacionit të Maqedonisë së Veriut përbëhet nga dy nënfaza. Në të parën Komisioni Evropian do të përditësojë të drejtën relevante të BE-së. Kurse në të dytën, e cila është procesi dypalësh, shqyrtohet nëse legjislacioni i Maqedonisë Veriut përputhet me ligjet e BE-së dhe vendosen planet për përputhshmëri të mëtejshme duke ndërtuar kapacitete institucionale dhe administrative, si dhe burimet e nevojshme njerëzore, financiare dhe IT për zbatimin e standardeve evropiane. Proceset do të zbatohen sipas metodologjisë së re në nivel grupesh, në një periudhë që do të zgjasë të paktën një vit.
Mariçiq: Anëtarësimi në BE detyrë e të gjithëve
Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Bojan Mariçiq, tha se qeveria do të luftojë për të arritur dy qëllime të rëndësishme – qëllimin tonë të jashtëm politik për anëtarësim në BE, që të mos mbetet vetëm në letër dhe vetëm në teori, dhe e dyta është të mbrojmë identitetin tonë si maqedonas.
Bojan Mariçiq dhe Bujar Osmani
“Mendoj se është e mundur. Ne mund të hyjmë në BE në kohën e duhur si maqedonas, që flasin gjuhën maqedonase. Nëse e kuptojmë këtë dhe punojmë për këtë kauzë edhe si parti politike dhe si individë, ne mund t’i arrijmë të gjitha këto. Kjo është detyrë e gjithë shoqërisë”, tha Mariçiq. Ai i bëri thirrje VMRO-DPMNE-së opozitare që t’i bashkohen këtij procesi të rëndësishëm./Dw