Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko priti sot në një takim zyrtar përfaqësuesit e Bankës Botërore, Linda Van Gelder, drejtore rajonale e Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor me qendër në Vjenë dhe Emanuel Salinas, përfaqësues i Përhershëm i Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.
Diskutimet e këtij takimi u përqendruan në situatën e krijuar nga konflikti Ukrainë-Rusi dhe ndikimin që ajo pritet të ketë në ekonominë shqiptare. Guvernatori Sejko u shpreh se ashtu si dhe në shtetet e tjera, sanksionet e vëna ndaj Rusisë dhe rritja e volatilitetit dhe e pasigurisë në tregjet ndërkombëtare kanë gjeneruar një realitet ekonomik të ri dhe sfidues global.
Guvernatori vijoi se pas analizave të thelluara të kryera nga Banka e Shqipërisë, ky realitet i ri ekonomik diktoi rishikimin e projeksioneve të mëparshme ekonomike dhe rivlerësimin e përshtatshmërisë së qëndrimit të politikës monetare.
Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë vlerësoi të nevojshëm ndryshimin e kahut të politikës monetare me kushtet e reja ekonomike, e cila synon të krijojë kushtet e nevojshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit, për ruajtjen e stabilitetit financiar, si dhe për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë dhe të punësimit në Shqipëri.
Në vijim, diskutimet u ndalën në ecurinë e inflacionit, kursin e këmbimit, zhvillimet në sektorin bankar dhe financiar, si dhe orientimin e duhur të politikave ekonomike.
Lidhur me ecurinë e çmimeve, Guvernatori theksoi se ajo do të përcaktohet nga intensiteti dhe kohëzgjatja e këtij konflikti, nga ndikimi që ai do të ketë mbi çmimet dhe tregtinë ndërkombëtare, si dhe nga qëndrueshmëria e rritjes ekonomike në vend.
Përfaqësuesit e BB-së vlerësuan pozitivisht reagimin e menjëhershëm dhe në kohën e duhur të politikës monetare të BSH-së, e cila ndihmoi në qëndrueshmërinë e monedhës vendase, si dhe do të japë efektet e saj pozitive edhe në vijim.
Më tej, ata vlerësuan rolin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë ka luajtur në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, si dhe shprehën gatishmërinë për të vijuar të ofrojnë asistencë teknike për Bankën e Shqipërisë.
Ata shtuan se, edhe para kësaj situate konflikti, Banka e Shqipërisë ka kontribuuar në reduktimin e kredive me probleme, në përmirësimin e ambientit të kreditimit e kuadrit mbikëqyrës e rregullator, dhe përafrimin e tij me standardet më të mira ndërkombëtare.
Përfaqësuesit e BB-së dhe Guvernatori Sejko shprehën angazhimin për vijimin e projekteve të përbashkëta në fushën e pagesave, mbikëqyrjes financiare, ndërhyrjes së jashtëzakonshme, edukimit dhe përfshirjes financiare etj.
Guvernatori u shprehu atyre mirënjohjen për mbështetjen dhe asistencën e ofruar në vazhdimësi ndaj Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera në vend./ata